“Kam zbatuar ligjin dhe e kam deklaruar kudo e kurdo”, ja çfarë deklaronte Kajmaku pas denoncimit

28/10/2019 19:53

Pas më shumë se dy muaj që kur Partia Demokratike denoncoi për herë të parë se Agim Kajmaku kishte çështje penale të hapur në Greqi, ky i fundit ka pranuar të vërtetën. Gjatë kësaj kohe, kryebashkiaku i Vorës e vendosi gjithnjë theksin te fakti se nuk ishte i dënuar në shtetin fqinj, ndonëse demokratët flisnin për një proces të hapur gjyqësor.

Edhe ky fakt, i procesit gjyqësor, duhej të ishte paraqitur në formularin e dekriminalizimit nga Kajmaku, por kjo nuk kishte ndodhur. Tashmë që Prokuroria e Përgjithshme ka verifikuar dhe i ka nxjerrë të vërteta pretendimet e PD-së, Kajmaku i është drejtuar këtij institucioni me një letër ku thekson se kishte mësuar për çështjen në Greqi, pasi ishte zgjedhur kryebashkiak.

  Agim Kajmaku pranon se është Jorgo Toto, letër Prokurorisë: Nuk kisha dijeni për gjyqin

Por çfarë deklaronte Kajmaku pak muaj më parë?

“Pavarësisht ndryshimit të emrit për arsye dokumentare, unë Agim Kajmaku gjithmonë kam mbajtur të njejtin emër të babait, nënës dhe të ditës time të lindjes edhe me emrin Jorgo Toto. Prandaj është shumë kollaj e verifikueshme a kam qëne i dënuar apo jo.

E dija që kur i hyra kësaj rruge për të drejtuar Bashkinë e Vorës, se Sali Baba me dyzet qentë e tij do të sulmonin për me kafshu! Prandaj kalova kufirin para se të dorëzoja kandidaturën time, që t’i kisha këto foto me të cilat përshëndes Sali Babën dhe dyzet qentë e vet dixhital.

Po, kam ndryshuar emrin!

Po, kam zbatuar ligjin dhe e kam deklaruar kudo e kurdo!

Jo! Nuk kam qenë asnjëherë i dënuar”, shprehej Kajmaku në reagimin e 22 gushtit.

Tashmë pritet me interes qëndrimi që vetë Kajmaku, por edhe Partia Socialiste, do të mbajnë pas shkresës së Prokurorisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA