Diplomati amerikan s’është kundër ndryshimit të kufijve, por kërkon të bëhet kujdes!

25/10/2019 13:25

Diplomati amerikan, ish-ambasadori i ShBA-së në disa shtete të rajonit, Christopher Hill nuk është shprehur kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, por ka kërkuar që kjo çështje të trajtohet me kujdes pasi mund të prodhojë pasoja afatgjate.

Ambasadori Hill i cili po qëndron në Tiranë për Samitin e paqes të Evropës Juglindore, foli edhe për sigurinë në Ballkan, ndikimin rus dhe pretendimet për themelimin e një minishengeni Ballkanik.

“Nuk jam kundër ndryshimit të kufijve, por duhet të bëhet me kujdes. Rregullimet e kufijve janë një lëndë shumë e rëndësishme dhe me goxha peshë. Nuk mund të bëhen pa një njohuri shumë të madhe dhe të mirë sa i përket këtyre kufijve dhe për të parë si ndihen njerëzit për këtë. Këto janë tema që nuk lidhen me rishikimin ose hartimin e një buxheti vjetor, por për një të ardhme shumë më afatgjate… Duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm për këto gjëra. Mund të duken se gjëja e duhur, por asnjëherë unë nuk do të nxitohesha për gjëra të tilla. Një gjë tjetër është që ka dallime midis vendeve që njerëzit besojnë që do të zgjidhen me shkëmbim kufijsh. Këto dallime shkojnë më thellë se kaq…nuk jam kundër, e kuptoj pse po diskutohet, por duhet të bëhet me më shumë kujdes”, tha ai.

Diplomati Hill foli edhe për gjendjen e sigurisë në Ballkan, teksa tha se është stabile, por duhet të punohet çdo ditë për t’u përmirësuar. Për mos hapjen e negociatave për anëtarësim në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë, Hill u shpreh se ka një zhgënjim për një gjë të tillë.

“Gjendja e sigurisë ka nevojë të përmirësohet, por krahasuar me 20 vite më parë, situata është me mirë. Është një situatë që duhet të punohet çdo ditë në zbatimin e ligjit…ka një zhgënjimi për mos hapjen e negociatave në këtë moment”, tha ai.

Për minishengenin Ballkanik, ambasadori Hill u shpreh i hapur, teksa u shpreh i shqetësuar për ndikimin rus në Ballkan, por theksoi se e ardhmja e shteteve të këtij rajoni është në NATO dhe BE.

“Unë do të doja të shihja marrëveshje që rrisin lëvizshmërinë, do të doja të shihja një marrëveshje që rritë lëvizshmërinë por ndalon marrëveshje më të gjera dhe më të mëdha…kam shqetësime, duhet të jeni shumë të kujdesshëm, kam disa shqetësime për atë qe po ndodh në Ballkan për këtë pikëpamje, por nuk kam shqetësime për atë qe do te jetë e ardhmja. Ballkani do të jetë i integruar në BE dhe NATO”, tha ai

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA