Athina zyrtare deklaroi pak më parë, se një delegacion zyrtar i saj do të jetë i pranishëm në ceremonitë përkujtimore të të rënëve në luftën italo-greke në vitet 1940- 1941.
Duke përdorur një gjuhë tepër të kujdesshme, ministria e jashtme greke, përkufizohet vetëm në pjesën protokollare të ceremonive, madje në tekstin e shpërndarë për mediat mbrëmjen e së premtes, Shqipëria përmendet vetëm në fraza kalimtare, çka tregon edhe vullnetin e Athinës, për të përkujtuar të rënët e luftës, pa u përzjerë në ceremonitë përkujtimore të një minoritari të ekzekutuar prej policisë shqiptare, gjatë përballjes së armatosur një vit më parë, në afërsi të Bularatit.
Sipas ministrisë së jashtme greke, ceremonitë përkujtimore, do të zhvillohen paraditen e së hënës, 28 tetor në orën 10.00 në varrezën ushtarake të Këlcyrës, ndërsa ceremonia e dytë do të zhvillohet në varrezën historike dhe ushtarake të Bularatit në orën 12.45, sipas orës lokale shqiptare.
Me një gjuhë të qartë, por tepër të kuptueshme me shumë në radhët e politikës greke brenda vendit, por të kuptueshme edhe për ekstremistët në të dy anët e kufirit, Athina zyrtare nuk lë vend për dyshime, se ceremonitë që do të zhvillohen në jug të Shqipërisë, do të kenë karakter përkujtimor dhe jo politik, kur deklaron se pala greke në këto ceremoni do të përfaqësohet prej zv-ministrit të Jashtëm, përgjegjës për çështjet e diasporës, Andonis Dhiamataris dhe ambasadores greke në Shqipëri, Sofia Filipidhu, ndërsa ceremonitë do të zhvillohen sipas marrëveshjeve dhe protokolleve të firmosur më herët prej Shqipërisë dhe Greqisë.
Ministria e jashtme Greke, bën me dije se ceremonitë do të zhvillohen ne bashkëpunim me palën shqiptare, siç parashikohet në traktatin e bashkëpunimit për kërkimin, identifikimin dhe rivarrimin e të rënëve të luftës, firmosur prej dy vendeve dy vjet më parë.
Një tjetër ceremoni, do të zhvillohet nën kujdesin e konsullatës greke edhe në kishën e Shën Marisë në Boboshticë të Korçës.
E kontaktuar nga Top Channel, burime të ministrisë së jashtme greke, thanë se data zyrtare e ceremonive është e hëna 28 tetor, por kushdo qytetar grek që dëshiron të përfaqësojë veten e tij në çdo event përpara kësaj date, është i lirë të vizitojë vendin fqinj, kuptohet, nëse respekton ligjet dhe detyrimet e atij vendi.
Diplomate të lartë të kësaj ministrie, nuk pranuan të komentojnë prezencën e eksponentëve ekstremistë të djathtë dhe deputetëve grek në jug të Shqipërisë, përpara datës së festimeve zyrtare, aq më tepër, nëse ata nuk janë pjesë e delegacionit zyrtar grek që do të marrë pjesë në ceremoni.
Në këtë mënyre, Athina është distancuar prej prezencës se disa eksponentëve të ekstremit të djathtë brenda partisë që qeveris vendin, Nea Dhimoktratia, në ceremonitë që do të zhvillohen në Bularat më herët se e hëna e ardhshme.
Top Channel