Shqipëria nuk e mori hapjen e negociatave për në Bashkimin Europian ndërsa detyra kryesore e saj tani është plotësimi i kushteve që vendosi Budenstagu gjerman.

Një nga kushtet thelbësore është që Shqipëria të dënojë njerëzit e drejtësisë që u rrëzuan nga Vettingu. Shumë gjyqtarë e prokurorë u rrëzuan nga çështja e pasurisë së pajustifikuar ndërsa njëri prej tyre, ish anëtari i Gjykatës së Lartë Shkelzen Selimi, i cili rezultoi me kontakte të papërshtatshme dhe lidhje kriminale.

Ai ishte rregjistruar në një bisedë që faktonte se Selimi kishte ndihmuar dukle liruar një person të kapur me arme pa leje.

Shkëlzen Selimi, ish anëtar i Gjykatës së Lartë u rrëzua nga vettingu dhe tashmë është jashtë sistemit të drejtësisë. Por edhe pse ju gjetën fakte dhe indicie të bashkëpunimit të tij me grupet kriminale në zonën e Fierit, ndaj tij nuk nisi asnjë hetim apo ndjekje penale. Autoritetet shtetërore, si shërbimi informativ por edhe policia kanë hartuar dosje me përgjime që tregojnë lidhjet kriminale të Selimit.

Këto dokumenta u shqyrtuan edhe nga komisionet e vettingut, ndërsa Top Channel në korrik të vitit 2018 publikoi ekskluzivisht dokumentin sekret ku tregoheshin lidhjet kriminale.

Nga dokumenti kuptohet që gjyqtari Shkëlzen Selimi ka ndihmuar dhe bashkëpunuar për lirimin nga burgu të një të arrestuari, që ishte kapur në flagrancë me armë pa leje. Ngjarja për të cilën SHISH ka përgjuar ka ndodhur në dimrin e vitit 2011 në qytetin e Vlorë, aty ku ka punuar si gjykatës edhe Shkëlzen Selimi.

Oficerët e Shërbimit Sekret ishin në ndjekje të Fero Dervishajt dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ata raportojnë se në përgjime kanë kapur komunikime edhe me gjykatësin Shkëlzen Selimi. Ja çfarë thuhet në dosje:

“Gjatë ndjekjes së procesit informativ në ngarkim të këtij shtetasi nga një ngjarje e rastësishme që lidhet me arrestimin e tij më datë 27 nëntor të vitit 2011 për armëmbajtje pa leje, u vërtetuan disa lidhje korruptive të këtij grupi në sistemin e drejtësisë dhe policisë , të cilat brenda 3 ditëve mundësuan nxjerrjen e tij në gjendje të lirë, në datën 30 nëntor 2011. Lidhjet korruptive të këtij grupi në sistemin e drejtësisë referuar ngjarjes konkrete janë: Zoti Shkëlzen Selimi, gjyqtar i Gjykatës së Lartë”.

Në raportin sekret që rrëzoi Shkëlzen Selimin thuhet se pas lirimit Fero kontakton me Shkëlzenin dhe e falenderon. Më pas Fero e vë në dijeni se të nesërmen, më 1 dhjetor, mund të shkojë të takohen. Shkëlzeni e konfirmon për të ardhur në atë ditë. Ndërkohë që është rregjistruar edhe një shkëmbim mesazhesh.

“Sms” Shkëlzenit me këtë tekst: Rrofsh, por besoj se nuk duhet të të bezdisja se e dije ti përfundimin. Përshëndetje, Mondi.

Shkëlzeni me tekst: Në jetë ka edhe aksidente. E rëndësishme ishte fundi i gëzuar. Bëra çdo gjë që edhe shoku im do ta kishte bërë për mua. Unë besoj te shoqëria. Do ta festojmë.

E.A.: Patjetër do ta festojmë. Për këtë nuk të telefonova më sepse unë besova te ty”.

Oficerët e Shërbimit Informativ kanë përgjuar edhe një bisedë mes dy anëtarëve të një grupi kriminal, të cilët tregojnë se si janë arrestuar nga policia.

“E.A: Ishin të Tiranës. Ishin në shërbim, në punë… Ishim në BMW ngjyrë gri. Pas meje ishte ai shoku që është në Tiranë. Po gabuam.

G.Gj: Pse e bënë atë punë…?

E.A.: Ishte faji jonë se unë mund t’i thosha… prit se është ky që po vjen pas meje. Është çanta e tij, e kupton?!”.

Në raport, oficerët e Shërbimit Informativ shkruajnë se pas mjetit ku ndodheshin dy personat me armë pa leje, ndodhej një tjetër mjet në të cilin ndodhej gjykatësi Shkëlzen Selimi.

Policia në Vlorë, më 27 nëntor 2011, gjatë një kontroll, në një automjet BMW, gjeti një armë pa leje. Pas verifikimit, makina me targa italiane, rezultoi e vjedhur në vitin 2007. Tre ditë më pas, i ndaluari del në gjykatë dhe lihet i lirë. Nga ky moment, Shërbimi Informativ përgjoi mesazhet telefonike që kanë shkëmbyer dy të ndaluarit nga policia me ish gjykatësin Shkëlzen Selimi tashmë të shkarkuar nga vettingu.

Top Channel