“Jul Çezari” në kala- Tragjedia e Shekspirit shfaqet në skenën e festivalit “Kadri Roshi”

24/10/2019 14:32

Festivali i teatrit që po mbahet në Gjirokastër pati dje një prej performancave më të rralla teatrale për nga formati, përmbajtja dhe përfshirja e publikut.

“Jul Çezari” tragjedia e Shekspirit u vendos në mjediset e kalasë së Gjirokastrës nën interpretimin e aktorëve të Teatrit Kombëtar Eksperimental të Tiranës nën regjinë e kroatit Ivica Buljan.

Skena e shfaqjes u zhvendos në pjesë të ndryshme të kalasë duke marrë edhe publikun me vete. Shfaqja me një dinamizëm të lartë e solli në një version më modern veprën e shkruar nga Shekspiri në vitin 1599. Vepra u soll si një teatër lëvizës që hyn mes publikut me aktorë që vendosen mes spektatorëve pa kufij të qartë mes skenës dhe publikut.

Aktori Alfred Trebicka tha se shfaqja erdhi në mjedisin e saj ideal në kalanë e Gjirokastrës. Tragjizmi i saj ishte natyral dhe ndjesia për vetë aktorët gjithashtu shumë e ndryshme. Ndërsa Ervin Bejleri që luajti rolin e Brutit tha se vetë shfaqja fitoi një dimension të ri në Gjirokastër, në kala. Publiku megjithëse në numër të madh ishte shumë i disiplinuar dhe u përfshi tek tragjedia që ofroi një format të ri të të bërit teatër.

Tragjikomedia “Fqinjët” e teatrit të Gjirokastrës do të jetë mbrëmjen e se enjtes shfaqja e radhës e festivalit të teatrit ” Kadri Roshi”.

Top Channel