Luhen këtë mesjavë ndeshjet e javës së tretë të fazës së Grupeve të Ligës së Kampioneve. Sot në mbrëmje vëmendja do të jetë e përqendruar në Stamboll ku Galatasarai do të presë Realin e Madridin.
Për skuadrën madrilene kjo ndeshje është një finale pasi në lojë është kualifikimi për në fazën e 1/8 të finaleve, ndërkohë që ajo mund të vendosë edhe fatin e trajnerit Zinedine Zidane. Aktualisht Reali i Madridit është në vendin e fundit në grupin e tij me 1 pikë pas dy ndeshjeve dhe në sfidën me skuadrën turke nuk do ketë Bale dhe Modric, ndërkohë që do të jenë Hazard dhe Carvajal.
Në Etihad Stadim, Manchester City do të presë Atalantën e Gasperinit që së bashku me Pep Guardiolën u përfshinë në një shkëmbim komplimentash me njëri tjetrin. Skuadrat vijnë në këtë përballje në situata të kundërta, kampionët e Anglisë janë në krye të grupit C me 6 pikë të plota, ndërsa Atalanta është e fundit pa pikë pasi i ka humbur dy ndeshjet e saj në këtë edicion të Ligës së Kampioneve.
Në Grupin B, Bayerni udhëtoi drejt Greqisë për të luajtur ndeshjen e tij me Olympiacos. Skuadra bavereze ka shfaqur shumë oshilacione në kampionat në këtë sezon, por në Ligën e kampioneve duket se është në pozita të mira duke qenë se kryeson grupin me 6 pikë, ndërkohë që ekipi grek është me vetëm 1 pikë, ashtu sikurse edhe Tottenhami që pret Crvena Zvezdën. Skuadra e Pochettinos kërkon të harrojë atë humbje poshtëruese ndaj Bayernit 2-7 në Londër dhe do të kërkojë të fitojë këtë sfidë për të pasur shanset e saj për të vijuar aventurën evropiane.
Top Channel