Bllokohen 298 ton karburant jashtë standardit të tregtimit, Balluku: Fund abuzimeve në tregun e hidrokarbureve

21/10/2019 14:31

Rreth 298 ton karburant jashtë standardit të tregtimit janë bllokuar në një vendburim nafte në bashkinë e Finiqit.

Aksioni u ndoq nga afër dhe nga ministrja e MIE, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin e ISHTI, Admir Abrija dhe zëvendësdrejtorin e Doganave, Ylber Kalaja.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në kuadër të planit antiinformalitet, bashkë me administratën doganore, bën një plan kontrolli dhe gjatë kontrollit kemi konstatuar 298 ton produkt, lëndë e parë, naftë bruto, e cila është e stokuar në këtë vendburim, pa vërtetimin teknik. Menjëherë kemi njoftuar administratën doganore që të hetojë në lidhje me fiskun e produktit”, bëri të ditur kryeinspektori Abrija.

Duke ju referuar parametrave të produktit të sekuestruar, zëvendësdrejtori i Doganave tha se ky është një produkt me risk dhe me shkallë monitorimi shumë të lartë.

“Për vetë parametrat që kanë rezultuar, ky produkt rezulton të jetë një ndër produktet me risk dhe me shkallë monitorimi shumë më të lartë, për vetë mundësinë e përdorimit dhe si lëndë djegëse për ngrohje apo për elementë të tjerë. Jemi në pritje të rezultateve përfundimtare të analizave për të vijuar me procedurat e tjera në koordinim me strukturën e ISHTI-t”, nënvizoi Kalaja.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi aksionin në fjalë si provën e radhës për angazhimin e qeverisë në luftën kundër informalitetit duke paralajmëruar se aksionet do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjithë territorin e vendit.

“Ky është një sulm frontal kundër informaliteti, të cilin ne do ta vazhdojmë. Të gjithë entet shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Ministria e Financave dhe të gjithë agjencitë apo drejtoritë në varësi të tyre, janë të fokusuar tek lufta kundër informalitetit dhe askush nga ne nuk ka plan që të ndalojë”, nënvizoi ajo.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se koordinimi mes agjencive dhe institucioneve përkatëse, si në këtë rast, rrisin efiçencën e aksioneve, ndërsa nxiti bashkëpunimin mes ISHTI-t dhe administratës doganore, me qëllim evidentimi e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse për subjektet që abuzojnë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA