Martin McDonagh flet shqip. E njohim si fituesin e “Academy Award”, “Golden Globe” dhe “Bafta”. Bëhet akoma më shumë interesante kur “Xhelatat”, historia që ai vendosi në Angli, sillet edhe për Shqipërinë, sepse ndërthuret me tre histori të Shqipërisë komuniste.

E gjitha kjo ngjan interesante, duke mare parasysh që kjo është edhe premiera çelëse e këtij sezoni në Teatrin Kombëtar, i ndodhur këtu në ArTurbina.

Puna e regjisorit Qendrim Rijani vihej re në çdo skene. Që para shfaqjes aktorët ishin mes publikut. Me kostumin dhe grimin e rolit. Dhe muzika në sfond të përgatiste për një skenë xhelatësh. Ndërsa Arben Derhemi gjen kohën në përgatitjen fillestare të rrëfeje dy rolet e tij.

“Roli i parë është roli i një hekurthyesi, i cili ka vendosur të vrasë veten duke bërë harakiri me një hetues shqiptar dhe vendos të tallet deri në fund me të, në momentin e torturave”, ka thënë Arben Derhemi.

“Roli tjetër është roli i xhelatit kryesor të veprës. i cili vendos atë që të gjithë ne në një moment të caktuar të jetës sonë duhet t’I bëjmë një pyetje vetes. Me jetën tonë si kemi vepruar?Me punën tonë si kemi vepruar?”, shton Derhemi.

Për dy orë e dyzet minuta publiku përjetoi emocione të ndryshme. Nga ankthi, neveria, e deri tek reflektimi e brejtja e ndërgjegjes.

“Është një shfaqe që flet shumë për realitetin tonë. Aq më tepër që është ndërthurur me histori shqiptare nga histori të periudhës komuniste ku njerëzit janë dënuar pa gjyq, janë varur, janë pushkatuar”, shprehet Florian Agalliu.

“Xhelatët” është nga ato shfaqe që të imponon durimin ta ndjekësh deri në fund, dhe s’mund të dalësh nga salla pa e duartrokitur gjatë.

Jetona Koçibelli

Top Channel