Dhoma penale në Gjykatën e Tiranës, vendosi të lirojë 10 protestuesit e arrestuar pas protestës mbrëmjen e së dielës në Unazën e Re.
Për ta, gjyqtari Kreshnik Omari dha masën e detyrimit të paraqitjes. Ndërkaq prokuroria kishte kërkuar arrest me burg për të 10 protestuesit dhe vlerësimin të ligjshëm të arrestimit të tyre.
Avokatët e protestuesve, kishin ngritur pretendimin e arrestimeve të paligjshme, për shkak se prokuroria si prova kishte paraqitur raport shërbimet e policisë dhe pamjet filmike të shpërndara në media, që sipas tyre nuk ishin fakte konkrete.
Akuzat e ngritura ndaj të arrestuarve janë për organizim, pjesëmarrje dhe grumbullim në manifestime të paligjshme, prishja e qetësisë publike, pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit, kundërshtim i punonjësit dhe policisë dhe mosbindja ndaj urdhërit të tij.
Kujtojmë, se me ndryshimet e reja të kodit penal, të cilat hynë në fuqi në datën 8 tetor, bllokimi i qarkullimit të automjeteve do të konsiderohet vepër penale, për të cilën parashikohen deri në tre vite burg.
Mes 10 të arrestuarve, ishte edhe ish deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu, ndërkaq në mbështetje të tyre, gjatë ditës së mërkurë , ishin edhe ish deputetë të PD-së, të cilët nuk u lejuan që të hynin në seancë.
Për banorët e unazës së re janë zhvilluar edhe dy seanca të tjera, për gjashtë të arrestuar për shkak se ata gjatë protestave të zhvilluara, akuzohen se kanë bllokuar rrugën Teodor Keko.
Te dielën, gjykata la në burg, Skendër Dodën, Gramoz Shehun dhe Ilir Katirajn, ndërsa një ditë më pas, për të njëjtat vepra penale, jepet masa e detyrimit të paraqitjes për Eduart Ferhatin, Rruzhdi Dacin dhe Tomorr Gjakatën.
Andi Bora
Top Channel