Nuk ka kaluar asnjë javë nga ofensiva ushtarake turke në Siri. Bilanci: krime lufte, eksod masiv – dhe një numër i madh të burgosurish të IS që kanë shpëtuar. IS nuk qe mposhtur ende plotësisht – tani kërcënon rikthimi.
Presidenti turk Erdogan nuk i ka fshehur kurrë synimet e tij. Jo më larg se shtatori, ai paraqiti në OKB në Nju York një hartë: në të qe shënuar një korridor i gjerë në kufirin sirian, i cili ndodhej nën kontrollin e Turqisë. Ndoshta veprime të vendosura dhe të përbashkëta të partnerëve të NATO-s mund ta kishin penguar autokratin e Bosforit në ndjekjen e aventurës së tij ushtarake. Siç dihet, ajo që ndodhi qe diçka tjetër: presidenti amerikan Trump e liroi kalimin, dhe javën e kaluar nisi në veri të Sirisë operacioni ushtarak, i veshur si mision antiterror dhe i quajtur në mënyrë cinike “burimi i paqes”.
IS është ai që përfiton
“Operacioni antiterror” turk kundër milicive kurdë në veri të Sirisë bën që lufta faktike antiterror, lufta kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik” të bëjë hapa të ndjeshëm pas. IS si kalifat i terrorit me territorin e vet vërtet është mposhtur. Me sakrificat e ndjeshme të pikërisht atyre luftëtarëve kurdë, të cilëve tani u duhet të luftojnë kundër sulmeve turke. Por kur para rreth një viti ra bastioni i tij i fundit në Baghouz, IS vazhdoi të jetojë si organizatë terroriste. I fshehur me luftëtarë në Siri dhe Irak, me degë nga Afganistani në Nigeri.
Në mosmarrëveshjen për rreziqet e një Shteti Islamik, të mposhtur përsa i përket territorit dha dorëheqjen dhjetorin e kaluar, në shenjë proteste ish-Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, James Mattis. Në atë kohë, Donald Trump deklaroi për herë të parë se dëshironte të tërhiqte trupat amerikane nga Siria. Mattisi ishte i bindur se një tërheqje e SHBA do të përgatiste terrenin për kthimin e IS. Edhe Brett McGurk gjithashtu paraqiti dorëheqjen; ai ishte i dërguari special i Trump-it për luftën kundër IS.
Mbijetesa në ilegalitet
IS po ashtu e di që nga koha e tij në Irak: në kohën kur je nën presion të madh mjafton të strukesh dhe të mbijetosh. Mjaft shpesh janë forca të jashtme pastaj që krijojnë një mjedis, në të cilin mund të lulëzosh përsëri. Në Siri, këtë rol e luan tani pushtimi turk dhe kaosi, që ecën krahas tij: në një bombardim të një burgu kurd në Qamishli, pesë luftëtarë të IS arritën të shpëtojnë. Plani i Shteteve të Bashkuara për të transferuar 60 xhihadistë me rrezikshmëri të lartë në një burg irakian, sipas New York Times, dështoi. Dhe të paktën dy herë që nga fillimi i luftës, me atentate IS ka kujtuar se është aktiv.
Dhjetëra mijëra mbështetës të IS
Në burgjet kurde ndodhen rreth 12.000 luftëtarë të Shtetit Islamik. Në kampet e refugjatëve, ruhen ende dhjetëra mijëra mbështetës të IS, kryesisht gra dhe fëmijë. Evropa ka dështuar në detyrën për t’i sjellë qytetarët e saj nga Siria e Veriut para drejtësisë, përfshirë Gjermaninë. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga vetëadministrimi kurd, mbështetur edhe nga Shtëpia e Bardhë. Megjithëse rreziku i një pushtimi turk ishte gjithnjë i pranishëm mbi kurdët e Sirisë veriore, u preferua që gjërat të liheshin të ecnin. Tani duhet të presësh që njerëz shumë të rrezikshëm të lirohen dhe të vijnë vetë pa u njohur në Gjermani. Me të gjitha pasojat e përfytyrueshme.
Evropa lejoi që Erdogani t’i bënte shantazh me kërcënimn e tij për t’i lënë tre milionë e gjysmë refugjatë sirianë të vazhdojnë rrugën. Rrezikun nga ndoshta dhjetëra mijëra mbështetës të IS, që mund të lirohen, ajo e injoroi.
Top Channel