Kryeministri Edi Rama zgjodhi Universitetin e Mjekësisë për të dhënë mesazhet e urimit të vitit të ri akademik.

Më së shumti shefi i ekzekutivit u ndal tek zbatimi i Paktit të Universitetit, kur iu referua kushteve jo vetëm akomoduese, por edhe ato të mësimdhënies për studentët.

“Sot, ne mund të themi se Universiteti është në një gjendje më të mirë seç ishte dje. Natyrisht që duhet ende shumë përpjekje e përbashkët për ta bërë atë edhe shumë më të mirë se kaq, por studentët që nisin sot vitin kanë në dispozicion kushte më të mira, sesa studentët që e mbyllën këtë vit shkollën”, shprehet Rama.

Vlerësimi i ekselentëve dhe kthimi i Qendrës Spitalore Universitare në shërbim të studentëve të profilit mjekësor ishin dy objektivat e për të cilat Rama tha se janë realizuar.

“Ne kemi bërë dhe do të bëjmë gjithçka që Qendra Spitalore Universitare të përmbyllë një proces transformimi epokal që ka nisur. Pa diskutim që, nëse e shohim sot, ka ende zona gri, apo ka ende boshllëqe të konsiderueshme, por, nëse kthejmë pak kokën pas, se nga e nisëm këtë transformim, besoj që kushdo që e njeh Qendrën Spitalore Universitare nuk e ka vështirë të pohojë se sot jemi si dita me natën në raport me 5 – 6 vite më parë”, tha Kryeministri i vendit.

Rama tha se së shpejti do të çelet edhe Spitali i ri modern i Kirurgjisë, ku një komponent i rëndësishëm është komponenti i ndërveprimit me universitetin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA