Kombëtarja shqiptare e U21 do të luajë të martën ndaj Kosovës , një sfidë kjo që është e vlefshme për kualifikueset e Euro 2021.
Për trajnerin Alban Bushi, kjo ndaj skuadrës Kosovarë është thjesht ndeshja e radhës dhe se askush te skuadra e tij nuk ka ndjesi ekstra.
“Nuk kemi asnjë lloj ndjesie ekstra, thjesht është një ndeshje e radhës për ne. E kemi përgatitur mirë. Gjëja pozitive është se kemi pasur shumë ditë në dispozicion, pothuajse shtatë ditë. Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë. Kosova ka në përbërje lojtarë shumë të mirë, ka më shumë pikë se ne, por kjo nuk do të thotë se ata janë më të mirë se ne. Ditën e martë pres një ndeshje shumë të luftuar nga ekipi ynë dhe jam i sigurt për këtë. Në futboll janë të tria rezultatet”, shprehet Alban Bushi, trajner i Kombëtares.
Në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje së bashku me trajnerin Bushi ishte edhe Sherif Kallaku që rikthehet pas një dëmtimi.
“Kalova një dëmtim njëmujor dhe tani të jem realist nuk mendoj se ndihem në formën time optimale, pasi kam shumë për të dhënë. Gjithsesi ndihem shumë mirë për ta luajtur këtë ndeshje dhe për të bërë një paraqitje të mirë. Kemi punuar mirë në stërvitje dhe do ta përballojmë këtë ndeshje. Duhet ta shikojmë thjesht si një ndeshje të radhës, që duhet të marrim tre pikët. Për ne është detyrim”, ka thënë Sherif Kallaku.
Pas 4 ndeshjeve të zhvilluara në këto kualifikuese, Kombëtarja shqiptare e U21 gjendet në vendin e parafundit në Grupin 3 me 2 pikë të grumbulluara, ndërkohë që Kosova është e treta me 6 pikë, por kjo e fundit ka luajtur 3 ndeshje.
Top Channel