Kombëtarja italiane e Roberto Mancinit, fiton dhe bind me lojën e saj. Duket se ish trajneri i Interit, Lazios dhe Manchester City ka gjetur dimensionet e duhura të Të kaltërve dhe kjo u pa edhe gjatë kualifikueseve të Euro 2020 me Italinë që arriti të sigurojë kualifikimin për në fazën finale të këtij kompeticioni pas fitores me Greqinë 2-0.
Kjo ka bërë të trajneri Mancini të sigurojë rinovimin automatik të kontratës me Federatën Italiane të Futbollit deri në vitin 2022 kur do të zhvillohet edhe Kampionati Botëror në Katar.
Rinovimi i kontratës së Mancinit do të jetë për 2 vjet ndërkohë që klauzola që favorizon trajnerin e Italisë dhe që është e vlefshme deri në 2020, nuk do të ekzekutohet.
LKjo do të thotë se për Mancinin nuk është e nevojshme që të kthehet në drejtimin e një klubi. Kjo edhe sepse vetë trajneri i Të Kaltërve dëshiron të plotësojë ciklin olimpik dhe të marrë kënaqësi nga kjo Itali, gjë që ajo nuk e bën prej kohësh.
Për më tepër mes Mancinit dhe futbollistëve të përfaqësueses italiane është krijuar një raport shumë i mirë ndërkohë që grupit i janë bashkuar të rinj interesantë që do të mund të ndihmojnë Italinë që të vërë kandidaturën për të fituar Evropianin e ardhshëm.
Top Channel