Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, përmes një komunikate për media, ka shprehur “shqetësimin e thellë për ndarjen e Çmimit Nobel për shkrimtarit austriak, Peter Handke”

MPJ-ja kërkon nga Akademia Suedeze të rishqyrtojë dhënien e Çmimit Nobel për Letërsi shkrimtarit Peter Handke.

“Ne gjykojmë se kësaj radhe çmimi i është dhënë njeriut të gabuar – mohuesit të gjenocidit, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme, në të cilin u bëhet thirrje institucioneve relevante botërore, akademive shkencore dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të ngrehin zërin e tyre dhe të shprehin kundërshtimin me vendimin e Komitetit të Nobel-it.

Shpallja e shkrimtarit austriak si fitues i çmimit Nobel ka ngjallur reagime të shumta.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha më 10 tetor se ky vendim solli dhimbje të të jashtëzakonshme për viktimat e panumërta.

“E mbaj mend, në vitin 1990 Vaclav Havel, Susan Sontag e shumë të tjerë e dinin se ligësia në Evropë duhet të ndalet dhe se gjenocidi në Kosovë e në Bosnje e kishte një përgjegjës. Handke vendosi t’i mbrojë e përkrah përgjegjësit. Ky vendim sjell dhimbje të thellë për shumë viktima”, shkroi presidenti Thaçi, në rrjetin social Twitter.

Edhe Organizata amerikane Pen, e cila mbron lirinë e shprehjes dhe promovon letërsinë, tha se zgjedhja e Komitetit të Nobelit për laureat të çmimit në letërsi është për keqardhje.

Ndonëse kritika shumë shpesh e ka cilësuar si një nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë në Evropë, opusi letrar i Handkes pati rënë në plan të dytë pasi që vitit 1996 pati publikuar esenë “Një udhëtim dimëror kah Danubi, Sava, Morava dhe Drina – ose drejtësia për Serbinë” dhe më pas edhe katër libra të intonuara në të njëjtën mënyrë.

Për shkak të mbështetjes së Serbisë së izoluar ndërkombëtarisht, vizitës së mëvonshme të ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviq në njësinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës, si dhe shkuarjes në varrimin e tij, Handke kryesisht është kritikuar, madje edhe është parë si famëkeq në opinionin ndërkombëtar, sikurse asnjë shkrimtar tjetër./ Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA