Foto e publikuar nga Paloka

Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka ka reaguar pas publikimit të komunikatës së Komisionit të Venecias për Ilir Metën, duke akuzuar se mazhoranca tentoi ta përdorë këtë organ kundër presidentit.

“Sa shpejt iu bie boja nga surrati kllounëve të Ramës. Kërkuan të përdorin Komisionin e Venecias si “mashë” që Rama të mos i fuste duart në zjarrin që ka ndezur vetë. Raportin e Venecias kërkon ta përdornin jo vetëm për të justifikuar nismën për shkarkimin antikushtetues të Presidentit, por edhe për t’i dhënë legjitimitet 30 qershorit, një proces që tanimë është rrëzuar tërësisht nga OSBE-ODIHR, të vetmet organizata që kanë kompetencën për të vlerësuar proceset zgjedhore”, shkruan Paloka.

Më tej, Paloka lëshon akuza ndaj dy zyrtarëve të mazhorancës, Taulant Balla dhe Elisa Spiropali.

“E siç ndodh rëndom kur në “lojë” futet dyshja në krahët e Ramës; Balla dhe Spiropalla, dihet dhe rezultati… Të dy këta duhet të ishin sot në bankën e të akuzuarve për një sërë skandalesh, aferash korruptive e lidhjes kriminale të faktuara më se një herë. Por ndërkohë këta jo vetëm përfaqësojnë qeverinë përpara institucioneve ndërkombëtare, por vazhdojnë të flasin për parime, për drejtësi e iu shesin moral shqiptarëve nga ekranet e televizioneve. Sigurisht që Rama di kë zgjedh për raste të tilla. Dy më të diskretituarit e një mazhorance të diskretituar tërësisht. E çfarë bëjnë sot? Pasi dolën bllof, madje dhe të fshikulluar nga Venecia; pasi nuk morën raportin që shpresonin ta përdornin për qëllimin e tyre, shpallën me gojën e Ballës dhe Spiropallës se “pavarësisht raportit të Komisionit të Venecias”, komisioni i Ulsiut do të vazhdojë dhe do të zbatojë detyrën që i ka caktuar “lideri” i këtyre të treve. Shpejtë drejtësia do të rikthehet në këtë vend dhe të gjithë do japin llogari për mëkatet e tyre”, shkruan Paloka.

  Shkarkimi/ Balla thotë se “Venecia” konkludoi 4 pika: Presidenti është në gjendje të vështirë

  Komunikata për raportin përfundimtar/ “Venecia”: Shkarkimi i Metës mund të mos jetë i justifikueshëm

Top Channel