Kontributi i Forcave të Armatosura shqiptare në misionin e NATO “Sea Guardian” do të vijojë me Kontingjentin XIV, i cili u nis ditën e sotme nga Porti i Durrësit për në detin Egje.
Në përcjelljen e detarëve shqiptarë ishte i pranishëm zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, zëvendëskomandanti i Forcës Detare, kapiteni i rangut I Artur Meçollari, prefekti i Durrësit Roland Nasto, efektivë të flotës si dhe familjarë të ushtarakëve që janë pjesë e kontingjentit.
Zëvendësministri Koçi e vlerësoi angazhimin e detarëve tanë në detin Egje si një kontribut për sigurinë e gjithë Evropës dhe u uroi erëra të mbara kontingjentit të radhës. “Migracioni i paligjshëm nuk sjell vetëm destabilitet shoqëror por sjell edhe rreziqe të terrorizmit sepse mbart shpesh me vete elementë të ekstremizmit të dhunshëm.
Ky është një kontribut ushtarak i Republikës së Shqipërisë që pikërisht Evropa të mos ketë më pasoja të tilla. Prandaj në këto ditë ku diskutohet hapja e mundshme e negociatave të BE me Shqipërinë për anëtarësim, ky është një kontribut që na e ngre kokën lart sepse është një shërbim që ne i bëjmë Evropës së bashkuar. Dhe kjo falë vendimeve të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, por natyrisht edhe kontributit konkret të Forcave tona të Armatosura dhe në mënyrë të veçantë të Forcës sonë Detare. Me kontingjentin e sotëm, numri i efektivëve të angazhuar deri tani në këtë mision shkon rreth 300, që është me të vërtetë një shifër e konsiderueshme për një vend të vogël si Shqipëria.”
Zëvendëskomandanti i Forcës Detare kapiteni i rangut I Artur Meçollari përmendi vlerësimet nga aleatët që kontingjentet shqiptare kanë marrë për kontributin në detin Egje dhe falënderoi në mënyrë të veçantë për mbështetjen dhe sakrificat, familjarët e ushtarakëve që kanë shërbyer në mision.
Kontingjenti XIV do të patrullojë në zonën e operacionit me anijen Oriku dhe komandohet nga kapiteni i rangut III Albion Bitraj.
Kontingjenti përbëhet nga 21 ushtarakë, mes të cilëve edhe 2 vajza.
Shqipëria kontribuon prej 3 vitesh në operacionin e NATO në detin Egje, ku kanë shërbyer rreth 300 efektivë dhe 3 anije, të cilët kanë realizuar mijëra orë patrullime, duke shpëtuar dhe parandaluar qindra emigrantë të paligjshëm.
Top Channel