Kur 40-vjeçarja Svetlana Prokopyeva shkroi artikullin-opinion në tetor 2018 lidhur me sulmin vetëvrasës të një nxënësi 17-vjeçar në zyrat e Shërbimeve Federale të Sigurimit (FSB) në Arkhangelsk të Rusisë, nuk e dinte ende se çfarë oguri përbënte ky artikull për fatin e saj.

Nxënësi vrau veten dhe plagosi tre oficerë të FSB-së, duke deklaruar para aktit në një forum anarkist në internet se po e bënte këtë sepse kjo agjenci “fabrikon akuza dhe torturon njerëz”.

Gazetarja Prokopyeva përpiqej në shkrimin e saj të kuptonte gjendjen mendore të adoleshentit dhe motivet e tij duke argumentuar se politikat e qeverisë ruse të shtypjes së egër të kundërshtarëve ishin fajtore.

“Një i ri i cili është ballafaquar me ndëshkime nga qeveria nuk ka arritur të gjejë forma të tjera shprehjeje. Egërsia çon në egërsi. Ky shtet i pamëshirshëm ka krijuar një shtetas, për të cilin i vetmi mjet është vdekja,” shkruante ajo.

Tani gazetarja, e cila punon në qytetin veriperëndimor Pskov për stacionin e pavarur radiofonik Ekho Moskvy dhe është korrespondente për Radion Evropa e Lirë/Radio Liria, përballet me 7 vjet burgim. Autoritetet i bastisën apartamentin, i morën kompiuterin, telefonin, dosjet e dokumentet dixhitale dhe në korrik emri i saj u përfshi në listën zyrtare të “ekstremistëve e terroristëve” gjë që u jep dorë të lirë autoriteteve t’i bllokojnë llogaritë bankare si dhe kartat e kreditit.

Muajin e kaluar ndaj saj u ngrit padi zyrtarisht, ku ajo akuzohej se justifikon publikisht terrorizmin. Asaj iu ndalua udhëtimi jashtë Pskovit.

Rasti i saj u përcoll me reagime të forta nga organizatat ndërkombëtare. Federata Evropiane e Gazetarëve e cilëson rastin e saj si “një përpjekje e qartë për të frikësuar gazetarët” dhe i ka bërë thirrje qeverisë ruse të ndalë abuzimin e ligji kundër terrorizmit me qëllimin për t’u mbyllur gojën gazetarëve.

Grupet e të drejtave të njeriut e kanë vënë në dukje këtë rast si një tjetër shembull i ngushtimit të hapësirës mediatike për gazetarët e pavarur dhe dominimit të informacionit nga portalet e grupet shtetërore mediatike.

Javën e kaluar grupet e pavarura mediatike në Rusi publikuan një letër të hapur nga Prokopyeva ku ajo thoshte se ndërkohë që shtoheshin shanset që ndaj saj të ngriheshin akuza penale, ajo dhe kolegët e saj donin të dinin “ku flitet për justifikim të terrorizmit?”

Në komente për Zërin e Amerikës përmes një aplikacioni të padeshifrueshëm nga jashtë, gazetarja thotë se “gazetarët rusë po e bëjnë praktikë filtrimin e informacionit” ose vetë-censurën. Siç duket tani është “e pamundur të analizosh një sulm terrorist, sepse qeveria mund ta konsiderojë këtë raportim si justifikim për terrorizmin”.

“Artikujt e mi ishin në përputhje me ligjin. Nuk ka akuza të sajuara ofenduese, nuk ka opinione të paraqitura si fakte. Kushtetuta na ofron liri të shprehjes, unë kam të drejtën të shpreh opinionin tim. Autoriteti Federal për Komunikacionet nuk ka veçuar ndonjë fjalë apo frazë që mund të konsiderohet si justifikim terrorizmi,” thotë ajo.

Ajo gjithashtu shprehet e habitur nga reagimi i autoriteteve të cilët erdhën nga Moska në mesditë, ndërkohë që një turmë njerëzish ishin mbledhur para apartamentit të gazetares dhe po shihnin bastisjen.

Gazetarët që po raportojnë mbi këtë çështje kanë hasur në probleme. Javën e kaluar autoritetet thirrën për të marrë në pyetje redaktorët e një stacioni që bashkëpunon me Ekho Moskvyy si dhe redactorin e një gazete lokale që botoi letrën e zonjës Prokopyeva.

Organizata Komisioni për Mbrojtjen e Gazetarëve e cilësoi ndjekjen penale të zonjës Prokopyeva dhe frikësimin e gazetarëve që shkruajnë mbi këtë çështje si shembull i masave të tepruara të autoriteteve ruse për t’u mbyllur gojën gazetarëve.

Ka edhe raste të tjera shqetësuese. Faqja elektronike Fergana Russian që shërben si agjenci lajmesh mbi zhvillime në republikat qendrore aziatike të ish-Bashkimit Sovjetik u bllokua pa justifikim. Amnesty International e dënoi këtë akt si “sulm arbitrar kundër lirisë së shprehjes në Rusi”.

“Autoritetet mund të mendojnë se do t’u mbyllin gojën portaleve si Fergana, pa u dalluar nga askush, por e kanë gabim. Portale si Fergana janë të rralla në Rusi, por siç e kanë kuptuar me zhgënjim autoritetet ruse, ato kanë një audiencë besnike në Rusi dhe përtej,” thotë Natalia Zviagina, drejtoreshë e degës ruse të organizatës Amnesty International.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA