Në fshatin Kuç të Vorës, vetëm pak kilometra larg Tiranës dhe Durrësit, jeton familja Mustafa.
Në një rrugë të shkatërruar, 4 pjesëtarët e kësaj familje e kanë të pamundur të shkojnë të vizitohen. Pjerrësia dhe rruga e pashtruar e bëjnë të pamundur që këta invalidë të marrin mjekimin e duhur. Megjithëse kanë marrë disa ndihma nga Bashkia e Vorës dhe Kryqi i Kuq, pjesëtarët e familjes Mustafa kërkojnë që t’i zhvendosin, të paktën t’u ndërtojnë dy dhoma afër qendrave të banuara, ku ka dhe ndihmë mjekësore.
Në këtë familje jetojnë 9 pjesëtarë, ku 4 prej tyre janë invalidë. 3 fëmijët përkatësisht 37, 47 dhe 49 vjeç janë me karrocë me rrota. Nëna e tyre thotë se më e vogla, Arta, prej gati 30 vitesh ka pasur probleme në të ecur. Nëna thotë se ka shkuar në shkollë, deri në klasë të katërt dhe më pas e ka pasur të pamundur të shkojë.
“Ditën kur ra tërmeti kanë qenë brenda në banesë. Nuk dija kë të kapja më parë. Burri im është me parkinson, 3 fëmijët në karroca. Nxirrja njërin dhe me vrap te tjetri. Shyqyr shpëtuam” thotë ajo.
Aktualisht, katër invalidët qëndrojnë afër një çadre të vendosur pranë shtëpisë. Ndërkohë, burri me parkinson kërkon që fëmijëve të tij tu ndërtohet një strehë.
Pas kërkesave të prindërve, edhe Arta ka një kërkesë: të vizitohet edhe njëherë. Ajo tregon se kur është vizituar kohë më parë i kanë thënë se sëmundja e saj mund të shërohet. Por, më pas nuk kanë pasur mundësi të shkoj të vizitohet.
Top Channel