Mbrojtësit e klimës demonstrojnë në Berlin. Aktivistët e “Extinction Rebellion” bllokuan madje edhe trafikun për të tërhequr vëmendjen për katastrofën klimatike.
Protesta të lodh. Adrienit mund t’ia dallosh këtë tek rrathët e zinj tek sytë. Ai ngrihet që në orën 5 të mëngjesit në Berlin për të demonstruar dhe bllokuar rrugët. E si shumë pjesëmarrës të tjerë mban simbolin me rreth të organizatës “Extinction Rebellion” – rebelim kundër shuarjes – të cilin e ka qepur në xhupin e zi. Shenja të kujton një orë-rëre, simbol dhe paralajmërim: Koha po mbaron!
“Dal në rrugë për të zgjuar më shumë vëmendjen për katastrofën e klimës para nesh.” Adriene është 37 vjeҫ dhe nuk do ta thotë mbiemrin për Deutsche Wellen, as ta fotografojnë nuk dëshiron. Ai bashkë me 600 demonstrues të tjerë paralizuan një nga akset rrugore më të rëndësishme të Berlinit, „Großer Stern”. Aksioni ishte paqësor, policia qëndroi e tërhequr. Edhe protesta të tjera të tilla në kryeqytetin gjerman janë zhvilluar pa shumë rrëmujë.
Aktivistët: Gjendja është urgjente
Organizatorët i thanë Deutsche Welles, se janë në kontakt të vazhdueshëm me policinë e Berlinit për të biseduar e koordinuar masat që duhen. Bllokada e trafikut ishte vetëm hapja e siparit për një seri aksionesh që janë planifikuar këtë javë në kryeqytet me disa aksione edhe nga artistët. Të mërkurën do të bllokohet edhe një urë në Berlin. Por edhe në kryeqytete të tjera europiane si Londra, Parisi, Kapstadt, Madrid janë planifikuar aksione të ndryshme këtë javë.
“Duam të tregojmë, sa urgjente është gjendja. Ne ndodhemi në një krizë ekologjike”, thotë Claire Wordly, profesore në Universitetin Cambridge në Britaninë e Madhe dhe aktiviste e “Extinction Rebellion”. Kjo lëvizje u themelua vitin e kaluar në Londër me qëllimin që të zgjojë opinionin për krizën e klimës. Ajo kërkon që qeveritë të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme për klimën. Synimi: Të gjitha vendimet politike, që bien ndesh me kapërcimin e krizës së klimës duhet të shfuqizohen sa më shpejt të jetë e mundur. Deri në vitin 2025 duhet të reduktohen në zero emetimet e gazit karbonik të shkaktuar nga njeriu.
Ndryshe nga “Fridays for Future” lëvizja “Extinction Rebellion” është më shumë një organizim i lirë që drejtohet edhe tek të rriturit. “Extincition Rebellion nuk e lë protestën vetëm në dorë të fëmijëve dhe të rinjve, thotë aktivistja Claire Wordly për Deutsche Wellen.
Ka edhe një dallim tjetër me lëvizjen e nxënësve të Greta Thunberg: “Ne përdorim mosbindjen civile. Pra jo dhuna, por bllokimi i rrugëve, lidhja para ndërtesave qeveritare janë për ne mjete legjitime”, thotë aktivistja.
Në Berlin protestuesit janë të zemëruar, për shkak të një njoftimi. Sipas “Spiegel Online”, ligji për klimën i qeverisë së Merkelit realisht do të jetë edhe më i vakët, se sa është thënë deri më tani. Kjo del nga projektligji që do të miratohet të mërkurën nga qeveria, sipas gazetës online. Ndryshe nga parashikimet nuk do të jetë viti 2040 objektiv kombëtar për reduktimin e dioksidit karbonik, edhe premtimi që Gjermania deri në vitin 2050 nuk do të prodhojë më gazin karbonik është lëkundur.
Kreu i zyrës së kancelares, politikani i CDU-së, Helge Braun, e ka kundërshtuar këtë në televizionin gjerman, ZDF. „Ky program është shumë më i mirë, se sa bëhet sot e ditur”, ka thënë ai. Edhe kancelarja Merkel i ka kundërshtuar këto zëra dhe ka thënë se mbikqyrja e objektivave të klimës është e fiksuar „qartësisht si drita e diellit në ligjin për klimën”.
Për Adriene paketa e klimës së qeverisë ishte hedhje hi syve. Thoni të vërtetën, kërkon ai. „Ndryshimi i klimës nuk është diҫka që do të na vijë pas 100 vjetësh, por ne jemi brenda tij./DW
Top Channel