Në zbarkimin e tij në qendrën stërvitore nuk ishte asnjë tifoz për ta pritur, një nga rastet e rralla kur ndryshimet në stafin teknik të Milanit shihen me mosbesim e madje shoqërohen me kontestime.
E kaluara e Stefano Piolit në pankinën e Interit ka bërë që të cënohet edhe e ardhmja e tij në stolin e kuqezinjve, por vetë tekniku që mori detyrën këtë mesjavë, shpreson se do ta përdorë këtë re polemikash, si stimul më shumë.
“U thirra nga një prej klubet më prestigjioze në botë dhe jam i bindur se mund të bëj një punë të mirë me ide dhe intensitet. Duhet të kualifikohemi në Champions, pak por e sigurt. Kam respekt për tifozët dhe ata kanë të drejtën e kritikave por për mua ky është stimul më shumë. E kaluara me Interin është dicka tjetër. Është si të ngatërrosh një djalë 13 vjec me një të moshuar. Gjykimet duhet të bëhen mbi rezultatet”, shprehet Stefano Pioli, trajner i Milan-it.
Në prezantimin e trajnerit të ri ishin gjithashtu prezent legjenda të Milanit si Boban dhe Maldini në poste drejtuese. Administratori i klubit, Ivan Gazidis, tha se ndryshimi erdhi për të shpëtuar ekipin nga rënia në serinë D, një paralele e e zmadhuar por që përshkroi divergjencat me teknikun e kaluar.
Top Channel