“Në kohën kur numërimi i votave ka tejkaluar shifrën prej 99%, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, po kërkojnë rinumërimin e të gjitha votave, në nivel vendi”, thotë Radio Evropa e Lirë.

Në bazë të rezultatit aktual, pas numërimit të mbi 99% të të gjitha votave, Lëvizja Vetëvendosje është e para me 25.51 përqind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.82 përqind, pastaj Partia Demokratike e Kosovës me 21,21 përqind, koalicioni AAK-PSD me 11.58 përqind dhe Lista Serbe me 6.62 për qind. Por, duke pretenduar se ka disa probleme teknike, PDK dhe LDK po kërkojnë kthimin e procesit të numërimit në pikën zero.

Ilir Gashi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se rinumërimi i votave duhet të ndodh për faktin se formularët dhe disa vota të partive nuk janë shkruar në formularët përkatës.

“Realisht ne kemi kërkuar të numërohen votat e PDK-së, sepse votat tona në të gjithë formularët e vendvotimeve janë kaluar te një parti tjetër”, tha Gashi.

Ai shtoi se për shkak të këtij gabimi nuk mund të shkruhet saktë rezultati përfundimtar. Edhe zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar rinumërimin komplet të votave, pasi dyshohet në gabime të ndryshe. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se për të qenë në rregull në aspektin juridik, rinumërimi i votave është i domosdoshëm.

“Kemi kërkuar rinumërim sepse ka qenë një problem teknik që i atribuohet KQZ-së lidhur me procesverbalet e numërimit të votave. Një parti e listuar dhe pjesëmarrëse në garë nuk ka figuruar fare në listë. Ky problem duhet të zbardhet deri në fund për të parë pastaj se si kanë dalë procesverbalet dhe a ka rregullshmëri në renditjen e partive dhe numrave”, tha Haziri.

Haziri ka shprehur bindjen e tij se edhe nëse ndodh rinumërimi i votave nuk do të ketë ndryshim të rezultatit aktual.

“Nuk presim që do të ketë impakt [ndikim] në rezultat, por do të ketë vetëm legjitimitet të procesit”, tha Haziri.

Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se mbështetësit e këtij subjekti politik duhet të jenë të qetë, pavarësisht kërkesave për rinumërim të votave.”Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni. Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi”, ka shkruar Albulena Haxhiu nga Lëvizja VetëVendosje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA