Zyrtarizimi i Stefano Piolit në krye të Milanit mbetet çështje orësh, por më parë klubi kuqezi duhej të shkarkonte Marco Giampaolon. E bën më në fund nëpërmjet një komunikate të shkurtër për shtyp.
“AC Milan komunikon se ka shkarkuar nga detyra e trajnerit të skuadrës së parë Marco Giampaolon. Klubi dëshiron të falënderojë Marcon për impenjimin dhe i uron suksese më të mëdha profesionale.”
Giampaolo u zyrtarizua trajner i Milanit më 19 qershor, por rezultatet e fillimsezonit folën kundër tij. E nisi Serinë A me humbjen 1-0 në fushën e Udineses, por as rezultatet pasuese nuk i përmbushën pritshmëritë. 4 humbje dhe vetëm 3 fitore në 7 javët e para i detyruan drejtuesit kuqezi të merrnin vendimin për ta shkarkuar. Pavarësisht fitoren në fushën e Genoas, loja e Milanit nuk bindi për të vijuar me trajnerin 52-vjeçar.
Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi paraditen e kësaj të mërkure i Stefano Piolit, që ka rënë dakord me dyshen Boban-Maldini për një kontratë 2-vjeçare me pagë 1.5 milionë euro në sezon. Stefano Pioli mposht kështu konkurrencën me ish-trajnerin e Interit, Luciano Spalletti, pasi ky i fundit nuk arriti të zgjidhë në mënyrë konsensuale kontratën me klubin zikaltër dhe do të vazhdojë pushimet deri në verën e 2021-shit.
Top Channel