Përfaqësuesja turke e futbollit do të impenjohet këtë të enjte në një ndeshje të vështirë në shtëpi ndaj Shqipërisë, një rival të cilin stafi teknik e vlerësoi edhe në konferencën e fundit.

Trajneri Senjol Gynesh tha se kryesuesit e grupit duhet të marrin 3 pikët, për të diskutuar më pas vendin e parë me Francën, skuadër me të cilën udhëheqin së bashku me nga 15 pikë secila.

“Prioriteti ynë në 4 ndeshjet e fundit do të jetë Shqipëria. Kemi përballë një ekip që ka lojtarë cilësorë, shumica e të cilëve luajnë në ligat kryesore Evropiane. Shqiptarët janë një skuadër që mund të kalojë shpejt nga skema 3-5-2 në atë mbrojtëse 5-3-2, një skuadër luftëtarësh dhe rezistente. Nëse fitojmë, atëherë do të luajmë gjithçka me Francën për kreun e grupit”, tha Şenol Güneş, trajner i Turqisë.

Trajneri Senjol Gynesh i kushtoi rëndësi edhe grumbullimit të talentit turk Suat Serdar me përfaqësuesen gjermane, një emër që cilësohej si e ardhmja e kombëtares turke.

“Shkova disa herë për të takuar Serdar, dhe pata gjithashtu një takim me babain e tij. Ai më tha se priste dokumentet por nuk erdhën asnjëherë. Nëse çdo lojtar turk vendos preferenca të tilla, atëherë rrugë të mbarë. Skuadra kombëtare është një e vetme. Biletat janë ezauruar dhe shpresojmë të kemi një ndeshje të bukur. Nëse luajmë në Konia, në Antalia apo Eskisehir, kjo ka pak rëndësi. Skuadra jonë është e mirëpritur kudo”, përfundoi trajneri.

Turqia luan ndaj Shqipërisë mbrëmjen e së premtes në orën 20:45 në stadiumin Shykry Saraçollu në Stamboll, arena në të cilën zhvillon ndeshjet skuadra e Fenerbahçes.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA