Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj, në respektim të së drejtës Kushtetuese, ka votuar sot në Prishtinë në ambientet e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”.
Duke i cilësuar votimet si ushtrimin më të frytshëm të demokracisë, Cakaj e ka cilësuar si shumë të rëndësishme këtë ditë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në një prononcim për mediat, Ministri në Detyrë Cakaj ka shpjeguar dhe arsyen e pjesëmarrjes së tij në votime.
“Une nuk jam thjesht një shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por jam edhe një qytetar aktiv i cili beson që fati këtyre dy vendeve është i pandashem.
Qoftë zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, qoftë zgjedhjet e tetorit tani pavarësisht dallimeve të dy vendeve kanë diçka të përbashkët, janë shprehje e vullnetit të përgjithshëm politik.” shprehet Cakaj.
Ndërkaq, i pyetur në cilesinë e qytetarit të Kosovës dhe jo të Kreut të Diplomacisë së Shqipërisë, Cakaj ka evidentuar dhe çështjet e shqetësimet që kanë më së shumti sot qytetarët e Kosovës.
“Kosova ka ndërtuar një traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe kjo është për t’u vlerësuar sepse shërben si shembull në rajon. Kosova po ballafaqohet me dy grupime sfidash në periudhat që po vijnë, konsolodimin e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, si dhe nga ana tjetër konsolidimin e shtetit në arenën ndërkombëtare.”
Në fund, i pyetur si e pret një reagim të Beogradit për votimin e tij edhe në Tiranë edhe në Prishtinë Cakaj shprehet se voton në bazë të bindjeve të tij dhe në përputhje me interesat e vendit të tij Kosovë dhe Shqipëri, nuk ka shqetësim për reagimet e Beogradit.
Top Channel