Nëntorin e 2018-tës, qeveria Haradinaj vendosi një taksë prej 100%  mbi poroduktet që hynin në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja. “Kosova është penguar për një kohë të gjatë në transport; marrëveshja e Cefta-s mes saj dhe Serbisë, nuk ka funksionuar`,  deklaroi asokohe Ramush Haradinaj, duke i dhënë kështu dritën jeshile një vendimi që merrej vetëm një ditë pasi Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

Beogradi, në sytë e ish-kreut të ekzekutivit kosovar, po punonte hapur kundër interesave të Kosovës, e kjo, në anën tjetër të kufirit, nuk do të tolerohej më. Disa e panë këtë taksë dhe si një dëshmi të përpjekjeve të Haradinajt për të treguar se me politikat e tij, po mbron tërësinë territoriale të vendit të vet, e këtu nënkuptohej edhe korigjimi i kufijve, ideja me të cilën flirtoi për një kohë të gjatë presidenti Hashim Thaçi, e që praktikisht, u supozua se do të kishte në thelbin e saj shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Haradinaj këtë e kundërshtoi kategorikisht. Me të njëjtën kokëfortësi, ai i bëri ballë presioneve të shtuara për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, gjë të cilën Beogradi e shndërroi në kusht për kthimin në tryezën e negociatave, me qëllimin të zhbllokohet procesi i dialogut i mbetur në vendnumëro.

Ish-kreu i ekzekutivit Kosovar nuk u lëkund as përpara kërkesave të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës. Bashkësia ndërkombëtare bëri disa përpjekje për të treguar sesa e rëndësishme ishte për të një gjë e tillë; më herët gjatë vitit SHBA-ja e tregoi angazhimin e saj përmes nënsekretarit David Hale dhe Gjermania nëpërmjet dy këshilltarëve kryesorë të Merkelit, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, të cilët vizituan Kosovën dhe Beogradin.

Situata e krijuar e nervozoi Haradinajn që tha se Serbia po nxjerr kushte për të mos të hyrë në dialog me Kosovën. Nuk ishte Prishtina sipas tij ajo që po vinte shkopinj nën rrota procesit, por Beogradi, ndërsa, shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk mund të ushtronte trysni mbi Serbinë, e i bënte presion viktimës, pra Kosovës.

Haradinaj mbeti i palëkundur nga pozicioni iet deri në momentin që deklaroi befas dorëheqjen; ishte një ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës ajo që e detyroi të hidhte këtë hap i cili i zuri në befasi të gjithë udhëheqësit e tjerë të institucioneve e partive politike, presidentin dhe kryetarin e kuvendit dhe po ashtu edhe liderët e opozitës.

Kjo u konsiderua më shumë një dorëheqje morale. Haradinaj, që është shpallur dy herë më parë i pafajshëm ndaj akuzave për krime lufte, tha se kishte zgjedhur të  udhëtonte drejt Hagës si qytetar i zakonshëm i Kosovës e jo si kryeministër i vendit. Taksa e shumëdiskutuar ndërkohë u kthye në parulle zgjedhore, dhe mbajtja e saj në fuqi apo pezullimi mbetet një sfidë për partitë politike që kërkojnë të marrin pushtetin në Kosovë.

Top Channel