Historia e zgjedhjeve në Kosovën e pasluftës fillon pikërisht në muajin tetor të vitit 2000, kur edhe u organizuan zgjedhjet e para lokale për Kuvendet Komunale.
Këto ishin hapat e para të Kosovës drejt fillimit të ndërtimit të një shoqërie demokratike, e cila kishte dalë e shkatërruar nga lufta me Serbinë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë e kishte themeluar KQZ-në në vitin 2000 dhe ky institucion u kryesua nga shefat e këtij misioni deri në vitin 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe mori mbi vete përgjegjësinë për organizimin e zgjedhjeve.
Ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu si dhe Udhëheqësi i ekipit të zgjedhjeve, Bujar Basha tregojnë se si zgjedhjet u realizuan pa kornizë ligjore e buxhetore vendore, derisa sfida më e madhe ishte mbajtja e tri palë zgjedhjeve të 2007-ës.
“Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm, ju kujtohet si ka qenë situata në 1999-ën apo 2000-ën? Kosova kishte dalë nga një luftë tërësisht shkatërruese, ka pasur polarizim të jashtëzakonshëm midis etnive dhe nuk ka pasur histori të zgjedhjeve demokratike. OSBE-ja ishte përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të para komunale në vitin 2000, pastaj në 2001 që ishin të parat zgjedhje parlamentare e kjo ka vazhduar deri në 2007-ën, kur u mbajtën zgjedhjet komunale, për kryetar komunash dhe parlamentare, pra tri procese njëherësh dhe kjo ka qenë hera e fundit kur OSBE-ja ka qenë përgjegjëse për organizimin e tyre. Disa zgjedhje kanë qenë më sfiduese në aspektin organizativ e disa në atë politik”- tha Jan Braathu, Ambasador i OSBE-së në Kosovë.
“Në këto dy dekada, Kosova organizoi me dhjetëra procese zgjedhore, të plota apo të pjesshme, si dhe të rregullta e të jashtëzakonshme”-tha Bujar Basha, Udhëheqës i ekipit të zgjedhjeve, Misioni i OSBE-së
Por, profesor Milazim Krasniqi tregon se qytetarët nuk kishin besim tek organizimi i zgjedhjeve nga institucionet ndërkombëtare dhe se mendonin se ata i prodhojnë edhe rezultatet.
E që pas shpalljes së pavarësisë të gjitha zgjedhjet parlamentare ishin të parakohshme.
Zgjedhjet e 6 tetorit janë të 7-tat me radhë për Kuvendin e Kosovës.
Në garë janë 25 subjekte politike, 7 janë shqiptare, 4 serbe, 4 boshnjake, 3 gorane, 2 subjekte kanë ashkalinjët, romët dhe egjiptianët, dhe turqit vetëm 1 subjekt politik.
Të gjitha përbëjnë 1 mijë e 67 kandidatë për deputetë, 343 femra dhe 724 meshkuj.
Top Channel