Princi Harry do të padisë pronarët e dy tabloidëve britanikë, The Sun dhe Daily mirror që supozohet se kanë hakeruar mesazhet e tij telefonike.
“Paditë janë përpiluar në emër të dukës së Sussex-it në Gjykatën e Lartë, në lidhje me përgjimin e paligjshëm të mesazheve zanore”, tha pallati Buckingham duke shtuar se për shkak të detajeve, paditë nuk janë bërë ende publike.
Kompania që zotëron “The Sun” konfirmoi se duka i Sussex-it kishte nisur procedurat ligjore ndaj saj por tha se nuk do të bënte më shumë komente.
Padia penale pason njoftimin e Harry-t të martën për një padi të tij dhe bashkëshortes Meghan Markle kundër kompanisë që zotëron “Daily Mail”, në lidhje me publikimin e një letre private të saj.
Harry akuzoi Mail se kishte publikuar një letër private të bashkëshortes në mënyrë të qëllimshme, duke botuar paragrafë të plotë me qëllim që të manipuloheshin lexuesit. Ai tha se padia kishte muaj që mendohej dhe se tabloidët britanikë po tregoheshin mizorë me bashkëshorten.
“Kam parë çfarë ndodh kur dikush që dua përndiqet deri në atë pikë sa që nuk konsiderohet më një person”, tha Harry, nëna e të cilit, princesha Diana, humbi jetën në 1997 në një aksident rrugor ndërsa përpiqej t’i largohej paparacëve në Paris.
“Unë kam humbur nënën time dhe tani po shoh bashkëshorten time të bjerë viktimë e të njëjtës forcë”, tha ai.
Top Channel