Skocia e ndaloi me ligj rrahjen e fëmijëve me shuplakë nga prindërit, duke u bërë shteti i parë në Mbretërinë e Bashkuar, me një masë të tillë dhe i 58-i në botë.
Vendi i parë në rruzull, që e ndaloi goditjen me shuplakë të fëmijës është Suedia, me një ligj të miratuar që në 1979.
Sociologët thonë se metoda e përdorimit të dhunës është mesjetare e andtiedukative, nuk jep rezultat dhe lë pasoja.
“Ne vijmë nga një shoqëri që dhunën e ka mbivlerësuar, kjo është një nga arsyet që sot kemi nivel të larte dhune në shoqërinë tonë. Fillesat e dhunës janë pikërisht në familje. Ende kemi prindër që besojnë, se druri është mjeti që i bën zap fëmijët. Fëmijët e rritur përmes dhunës do prodhojnë dhunë”, shprehet sociolog Gëzim Tushe.
Fëmijët që janë edukuar me dhunë janë të predispozuar të bëhen asociale, përdorues të drogës apo alkoolit. Sociologët shprehen se dhuna do t’i bënte fëmijët hipokritë, komformistë e servilë, dhe se është shumë i nevojshëm një revolucion edukativ në familje.
“Fëmijët dhe adoleshentët e sotshëm janë të vështirë, por nuk mposhten me dhunë, as fëmijët e vegjël. Po duam një fëmijë të zhvilluar fizikisht, mendërisht, shpirtërisht e qytetarisht, vetëm shpirtërisht, vetëm dhuna duhet shmangur”, shton Tushe.
“Ne në kohën tonë edhe i kemi hequr ndonjë shuplakë, por sot as që bëhet fjalë që fëmijët dhe nipërit e mbesat edukohen më mirë më fjalë”, thotë një zotëri.
“Kam rritur tre fëmijë të mrekullueshëm së bashku me burrin e nuk kemi ngritur një herë dorën ndaj tyre, vetëm me fjalë e durim i rritëm”, thotë një qytetare, “Ata që vënë dorë mbi fëmijën, duhet të dënohen me ligj.”
Top Channel