Letra e TCH, News24, OraNews, Vizion Plus, Report TV për AMA: Fikni analogët, ndërhyni urgjentisht ndaj Klan, ABC News dhe Shijak TV

04/10/2019 11:42

Mediat që e kanë respektuar ligjin dhe vedimin e AMA për fikjen e transmetimeve analoge kanë kërkuar autoritetit të mediave autdiovizive të reagojnë urgjent ndaj mosrespektimit të ligjit nga disa televizione.

Letra e nënshkruar nga drejtuesit e televizioneve, Top Channel, News 24, Vizion Plus, Ora News dhe Ora HD si dhe Report TV kërkon ndërhyrjen e këtij institucioni që të detyrojë edhe mediat e tjera që të respektojnë ligjin dhe vendimet e këtij institucioni.

Në letër thuhet se konstatohet me shqetësim se operatorët e tjerë, Klan, Klan Plus, ABC News dhe Shijak TV nuk e kanë respektuar këtë vendim dhe vazhdojnë të transmetojnë përveç në digjital edhe në sinjal analog në qarqet Tiranë dhe Durrës. Ky transmetim po bëhet në kundërshtim me vendimet e AMA dhe për më tepër krijon pabarazi dhe deformim të konkurrencës në treg.

Operatorët televizive që e kanë respektuar ligjin sjellin në vëmendje se shkelje të tilla sanksionohen në disa nene të ligjit për mediat audiovizive dhe sipas të drejtave dhe rëndësisë së zgjatjes së situatës, mund të jenë objekt i mosmarrëveshjeve që do të lindin dhe shqyrtohen nga organet gjyqësore kompetente për dëmshpërblimet e dëmeve të shkaktuara.

Gjithashtu kërkohet që strukturat e AMA të ndërmarrin masat e duhura operacionale dhe ligjore për të detyruar këta operatorë të zbatojnë ligjin dhe të mos prishin ekuilibrat e tregut kaq të ndjeshëm sa ai i mediave, duke mos u bërë palë me shkaktuesit e shkeljeve.

Top Channel