Deklaratat e forta të presidentit Ilir Meta, me dorëheqje apo edhe vetëflijim,  gjatë 10 muajve të fundit të vitit 2019,  kanë prodhuar shumë tituj të bujshëm në median online dhe ato tradicionale.  Nga Pogradeci, kur kriza politike në Tiranë kishte hyrë në muajin e tretë,  kreu i shtetit artikuloi për herë të parë dorëzimin e mandatit,  madje shprehu gadishmërinë e sakrifikimit të jetës si Salvador Alende.

Ardhja e të dërguarve të Komisionit të Venecias dhe çfarë ata pyetën dhe dëgjuan në takimin me presidentit Ilir Meta, duket se shkaktuan tek kreu shtetit kofidencë, se opinioni do të ishte një varkë shpëtimi nga beteja e nisur prej socialistëve për ta shkarkuar. Këtë e përforcon kjo deklaratë e bujshme e presidentit Meta në emisionit Fakt.

“Nëse Venecia thotë që Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, patjetër që do ta jap dorëheqjen. Unë kam dhënë dorëheqjen kur kam qenë kryeministër për një gjë që nuk kishte lidhje fare me mua”.

Kofidenca e presidentit për ta kaluar me sukses provimin e Venecias u shua shpejt. Disa ditë pasi draft opinioni Venecias mbërriti edhe në adresën e presidencës, me konkluzionin e tejkalimit të kompetencave kushtetuese, kreu shtetit mban një tjetër qëndrim në emisionin Opinion nga ku ndryshon tërësisht qëndrim nga çfarë deklaroi në Fakt.

Presidenti Meta: Ore, zotëri në qoftë se çmendet Venecia, nuk kam ndërmend…! Unë kam thënë në qoftë se thotë shkelje dhe më bind po, kam thënë, dhe më bind. Në qoftë se nuk më bind? Respekti nuk është i dhënë njëherë e përgjithmonë. Respekti, ruhet gjithmonë . Në qoftë se Venecia vendos të çmendet, le të çmendet Venecia, unë nuk do çmenden të lë Shqipërinë në kaos.

Top Channel