Kisha “Shën e Premte” në Valësh të Elbasanit, 6 vite më parë ra pre e një grabitje dhe e shtatërrimi të jashtëzakonshëm. Edhe pse mban mbi vete piktura të rralla të Onufrit, askush nuk mundi të ndalojë vandalizmin mbi të.

Instituti i Monumenteve të Kulturës mblodhi sa mund pjesët e mbetura dhe të shkatërruara të afreskeve dhe restauratorët po punojnë për të shpëtuar sa munden.

Kisha edhe një herë bën apel për kthimin në pronësi të saj të këtyre objekteve, pasuri kombëtare, të cilat po shkojnë drejt zhdukjes.

Kisha “Shën e Premte” është ndërtuar rrëzë maleve në një terren shumë të largët për të mos rënë pre e turqve. Por terreni i vështirë dhe mungesa e infrastrukturës rrugore e kanë bërë atë po aq të largët për shqiptarët sa ishte edhe për turqit. Përveç banorëve të kësaj zone dhe disa studiuesve askush nuk dinte për Kryeveprën e Onufrit. Afresket e rralla, me vlera të jashtëzakonshme të cilat i përkasin shek XVI janë konsideruar nga arkeologët si kryevepra të artit tonë. Për këtë arsye kjo kishë u shpall monument kulture në vitin 1963.

Në asnjë nga guidat turistike nuk përmendet emri i kësaj kishe, asnjë ndërhyrje nuk është bërë në infrastrukturë që ajo të ishte e vizitueshme ndërsa dita ditës po shkatërrohet edhe nga dashakeqësit.

Bruna Kërçyku

Top Channel