Fiks Fare në vazhdën e investigimeve mbi sigurinë ushqimore, konstaton se në vendin tonë bëhen shumë pak analiza.
Për produktet që ne konsumojmë, nuk ka asnjë laborator që të garantojë sigurinë, për sa i takon shtesave, konservantëve (ruajtësve jetëgjatësisë),hormoneve, nivelit të pesticideve, etj.Pra thuajse çdo gjë që ka të bëjë me spektrin e sigurisë ushqimore është jashtë mundësive për shtetin tonë.
Duke qenë se asnjë laborator shtetëror nuk mbulon sigurinë ushqimore,Ministria e Bujqësisë gjeti zgjidhjen, duke urdhëruar AKU-në që të gjitha analizat për sigurinë ushqimore t’i bëjë në të vetmin laborator të akredituar,Noval, një laborator privat, i cili ka kapacitetet e duhura.
Laboratorët e AKU-së pa investime dhe akreditime
Fiks Fare ndër vite ka denoncuar me fakte, zë edhe figurë gjendjen alarmante në të cilën ndodhet siguria ushqimore në vend. Që nga qumështi me ujë të shtuar e deri tek hormonet të cilat përdoren pa kriter tek frutat dhe perimet. Në disa raste gazetarët kanë mundur të kryejnë analizat e këtyre produkteve, në disa të tjera jo, jo për mungesë të vullnetit apo transparencës, por për faktin e thjeshtë që këto analiza në vendin tonë nuk kryen në asnjë laborator shtetëror.
Për shembull, në vendin tonë nuk bëjmë dot analiza që të përcaktojnë se produkti bukë është bërë më miell të zi apo ngjyrues, pasi për ngjyruesin nuk bëhet dot një analizë për ta përcaktuar. Lëngjeve të frutave, reçelit, qumështit , kosit, etj, nuk i bëhet dot analiza e konservantëve, të përdorur në to për të zgjatur jetëgjatësinë e produktit. Nuk bëjmë dot as analizën e sorbatit, benzoatit apo konservantëve të tjerë.
Frutave dhe perimeve nuk i analizojmë dot hormonin e përdorur mbi normat e lejuara. Për pesticidet zakonisht bëhen analiza të shpejta, për të përcaktuar nëse janë të pranishëm, por jo sasinë e përdorur, pra nuk kryhet analiza e nivelit të pesticideve. Aflatoksina tek qumështi apo mielli analizohet vetëm nëse është apo jo pranishme, por jo përqindja në të cilën mund të jetë. Mbi të gjitha, laboratorët e AKU-së nuk janë të akredituar.
Sipas studimeve të ndryshme apo dhe zërave të specialistëve, këto konservantë, të përdorur në produktet që ne konsumojmë, mbi normat e lejuara, janë të rrezikshëm për shëndetin dhe një nga përgjegjësit kryesor për shfaqjen e sëmundjeve tumorale.
Gazetarët e Fiksit ishin në 7 nga 9 Laboratorët e AKU-së në vend. Më i kompletuari nga të gjithë për sa i takon aparaturave ishte ai i Korçës. Më problematiku, ishte ai i Durrësit ku mungesa e terreneve, kishte bllokuar punën tek laboratori i mikrobiologjisë. Edhe pse laborator që mban një peshë të rëndësishme për sa i takon kontrollit doganor, të gjitha analizat i nis për në Tiranë. Në këtë situatë, ky laborator ka qenë, thuajse gjatë gjithë vitit të kaluar.
Në laboratorin e Tiranës, Fierit, Korçës, nuk bëjnë analiza të shtesave, konservantëve, apo nivelit të pesticideve . Asnjëri nuk është i akredituar. Përgjegjësit e tyre pohojnë për Fiksin që akreditimi kërkon shumë punë dhe përshtatje të metodave të reja, ndaj janë akoma në proces.
Berati dhe Elbasani edhe pse dy qarqe me një shtrirje të madhe gjeografike nuk kanë laboratorë për kryerjen e analizave edhe më minimale. Berati nuk ka as godinë. Ndërsa në Elbasan është bërë një shtesë për ambientet e laboratorit, pajisjet janë aty, por nuk ka staf.
Në Laboratorin e Durrësit nuk bëhen dot analizat e mikrobiologjisë. Madje ky laborator nuk përcakton dot as ujin e shtuar të qumështit. Edhe ky ka fatin e të tjerëve nuk është i akredituar.
Në Lushnje laboratori është kthyer në “muze” me pajisje të viteve ’40-’50 edhe pse është një nga institutet e vetme kërkimore në vend i hapur që në vitin 1952. Por totalisht i lënë në harresë dhe pa asnjë investim për t’u përshtatur me teknologjitë e reja.
Edhe ISUV që është një nga laboratorët më të mirë të vendit nuk i bën të gjitha analizat, psh analizat e konservantëve apo shtesave të benzoatit, sorbatit, hormonet etj.
Top Channel