Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka përcaktuar datën 4 tetor për seancën dëgjimore për prokuroren Anita Jella. Jella është prokurorja e 11-të nga 15-të kandidatë për në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) që i nënshtrohet procesit të vetting-ut.
Trupa që do të vlerësojë figurën e prokurores përbëhet nga Xhensila Pine, Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari.
Ndërkohë, 10 kandidatë të tjerë për në SPAK e kanë kaluar tashmë procesin e vetting-ut, ndërsa priten datat për katër kandidatë tjerë.
Prokurorët që do i nënshtrohen në vijim vetting-ut, por për të cilët nuk është caktuar ende data, janë: Anton Martini, Elizabeta Ymeraj, Doloreza Musabelliu dhe Ndini Tavani.
Kur u përzgjodh lista me 15 kandidatët për SPAK në muajin korrik, kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, i pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, nëse SPAK mund të ngrihet në muajin shtator ose tetor, tha: “Në këtë moment nuk është në dorën tonë caktimi i një kalendari, është në dorën e institucionve të vetting-ut. E mira është të përkojë me kalendarin e integrimit që kërkon që deri në mes të tetorit t’i kemi institucionet e ngritura.”
Ibrahimi nuk preferoi të jepte një ‘numër të arsyeshëm’ sa i përket prokurorëve që duhet të bëhen pjesë e SPAK që kjo strukturë të konsiderohet funksionale.
“Kjo është çështje që nuk do doja të shprehem sepse i takon Këshillit të shprehet se cili është numri. Normalisht, një numër që e lejon përballimin e fluksit”, do të shprehej kreu i KLP-së.
15 kandidatët për SPAK
Top Channel