Autoriteti i Mediave Audiovizive thotë se televizionet po i fikin gradualisht sinjalet analoge në Tiranë dhe Durrës, dhe se në orët në vazhdim do të kryhet i gjithë procesi i digjitalizimit.
E njëjta procedure është ndjekur dhe në qarqet ku ky proces ka përfunduar tashmë me kohë.
Në një intervistë telefonike për Top Albania Radio, kryetari i AMA-s Gentian Sala u shpreh se nuk do të ketë kthim prapa.
“Nuk shohim arsye që të ketë shtyrje të procesit, mendoj që të gjithë argumentat , pro pozitive që procesi të eci si furnizimi me dekodera, si ndihma që ka dhënë qeveria për familjet në nevojë, si fushata mëse mjaftueshme e informimit publik në të gjithë mediumet e ndryshme televizione, radio, portale pra nuk shohim asnjë arsye që procesi të shtyhet”, ka thënë Gentian Sala, kryetar e AMA-s, në një lidhje telefonike për Top Channel.
“Apeli për qytetarët është që ky proces do të avancojë, do kryhet mbyllja në këto qytete. Qytetarët që nuk e kanë transmetimin numerik duhet të dinë në radhë të parë përfitimet që kanë nga ky proces. Duhet tu përmend këtu jo ofertat që operatorët private bëjnë por vetëm të dinë që kanalet pa pagesë kanë 38 kanale, si asnjë vend tjetër i Europës e Ballkanit. Do shohin dhe ndryshimin e cilësisë së këtyre kanaleve, pra duhet të dinë benefitet që do të marrin. Kuptohet që përveç familjeve në nevojë qytetarë të tjerë janë të detyruar ta blejnë siç ka ndodhur në çdo shtet tjetër”, shton Sala.
Digjitalizimi do të vazhdojë edhe me qarqet e tjera, për Vlorën do të vendoset afati i ri mjaft shpejt me garantimin e sinjalit digjital nga operatorët.
Top Channel