Prokuroria e Tiranës ka çuar në gjykatë, dosjen me padinë ndaj Nadir Çaushollit pronarit të kompanisë “CFO Pharma”, i akuzuar për skandalin e ilaçit Soludaminë.
Prokurori i çështjes, Kreshnik Ajazi, në kërkesë për gjykim thotë se Çausholli ka falsifikuar vulat e Agjencisë së Barnave.
Po ashtu, prokurori Ajazi thotë se ka rezultuar që shërbimet e policisë gjyqësore kanë marrë si provë investigimet realizuara nga Top Channel, sipas së cilave “CFO Pharma” ka hedhur në treg medikamentin “Soludamin”, me çmim shumë herë më të shtrenjtë se çmimi i përcaktuar nga Agjencia e Barnave.
Në përfundim të hetimeve, thotë prokurori, Nadir Çausholi ka konsumuar veprat penale të “Mashtrimit” kryer më shumë se një herë, “Manipulim i tregut” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer më shumë se një herë.
Në dosje, janë faktet dhe gjetjet e Agjencisë Kombëtarë të Barnave, inspektorët e së cilës janë pyetur dhe kanë treguar se pullat me çmimin e vendosur në ilaçe janë false dhe se ilaçi është shitur 18 herë më shtrenjtë se çmimi real.
Prokuroria për këtë hetim, ka këqyrur dhe marrë në cilësinë e provave materiale, kutitë e ilaçit soludamin, mbi të cilat kanë qenë vendosur pullat e falsifikuara me një çmim të tjetërsuar. Po ashtu janë kontrolluar katër farmaci ku është treguar ilaçi “Soludamin” si dhe janë këqyrur të dhënat elektronike.
Nisur nga rrethanat e përshkruara thotë prokurori është e qartë se jemi përpara tre veprave penale.
Sipas prokurorit, veprat penale janë kryer me dashje direkte sepse subjekti i veprës penale e ka kuptuar karakterin e kundërligjshëm të veprimeve të tij dhe megjithatë ai me vetëdije i ka kryer ato.
Me herët, Nadir Çausholli, autor i këtyre veprave penale, është gjobitur nga Agjencia e Barnave me rreth 56 milionë lekë.
Top Channel