Mallrat e importit,mungesa e tregut të shitjes dhe mungesa e subvencionimeve nga shteti ka bërë që prodhimet vendase të tokave bujqësore të serave në fshatin Kutalli në Urë-Vajgurore të mbeten “stok”.

Fshati Kutalli është zona e vetme në të gjithë qarkun e Beratit, me rreth 700 ha sera të mbjella në çdo stinë me domate e speca dhe kjo është e vetmja mënyrë jetese prej vitesh për fermerët e kësaj zone. Mungesa e tregut dhe çmimet e ulëta me të cilat dalin këto prodhime në treg ka bërë që fermerët të hedhin këtë vit rreth 30% të prodhimit. Situata paraqitet tejet e vështirë edhe për faktin se këtë vit prodhimi ka qenë më i lartë nga vitet e tjera, ndërkohë që kërkesat për eksport shumë të ulëta. Fermerët shprehen se kanë mjaftueshëm prodhime dhe me cilësi të lartë, por nuk mund t’i shesin dot. Ata thonë se çmimi i domates ka arritur të shitet këtë vit me një çmim qesharak 200 lekë (të vjetra) për kg dhe kjo ka bërë që fermerët të mos mbulojnë dot as shpenzimet e tyre.

“Është shumë krizë këtë vit në krahasim me vitet e tjera, rreth 30% e prodhimit është hedhur pasi konsumi i brendshëm nuk mund ta konsumojë dot gjithë këtë prodhim, ndërkohë kërkesa për eksport është shumë e pakët pasi jashtë vendit ka akoma prodhim”, shprehen fermerët.

Fermerët deklarojnë se po shkojnë drejt falimentimit, sepse shteti jo vetëm që nuk ndërpret prodhimet nga jashtë për të qarkulluar prodhimi vendas, por as nuk i ndihmon aspak fermerët për TVSH-në dhe plehrat kimike.

“Neve na ka marë lumi si fermer,fermerit nuk i del as për naftën. Si prodhues jemi të fundit në rajon dhe s’kemi pasur asnjë ndihmë nga shteti, ndërsa si tregtar ne nuk kemi pasur barriera nëpër dogana”, pohojnë fermerët e Kutallisë.

Mungesa e tregut vendas dhe eksportit po i çon fermët e fshatit Kutalli në Urë-Vajgurore drejt rrënimit total. Aktualisht ata janë duke eskportuar në sasi të pakëta vetëm në Bullgari dhe Itali, ndërkohë që produkti i brendshëm në vend nuk i përballon dot 600-700 ha sera që janë me prodhim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA