Elkeda Domi, drejtore Teknike në Autoritetin e Mediave Audiovizive, ka thënë se kalimi i sinjalit nga analog në digjital po bëhet në një situatë të qëndrueshme.

“Nuk ka radhë të gjata në pikat e shitjeve. Operatorët, shumica kanë reaguar dhe i kanë mbyllur transmetimet dhe jemi në komunikim me operatorët e tjerë”, tha Domi në emisionin “Top Show” në Top Channel.

Drejtoresha në AMA theksoi se “ky është një proces që nuk ka hap mbrapa.”

Sa i përket dekoderave që duhen për sinjalin digjital, Domi tha se sasia e tyre është e mjaftueshme ndaj edhe situata ka qenë nën kontroll.

Domi tha gjithashtu se ky proces duhet të ishte mbyllur që në vitin 2015-të, por është shtyrë vit pas viti.

Sa i përket procesit të digjitalizimit, me patjetër, qytetarët duhet të pajisen me dekodera marrës tokësor, për të parë programet e televizioneve shqiptare. Dekoderat e Digitalb-it janë shumë të thjeshtë për t’u instaluar dhe mundësojnë shikimin e të gjitha stacioneve televizive shqiptare si dhe paketave të Digitalb-it.

Për të marrë sinjalin televiziv, qytetarët duhet të kthejnë antetnat në drejtim të transmetuesve të vendosur në Dajt për Tiranën dhe tek radarët e Marinës në Porto romano të Durrësit. Me mbylljen e transmetimeve analoge në Tiranë e Durrës, përfundon digjitalizmi tërësor për 5 qarqe.

Sipas AMA-s deri tani janë dy të tretat e popullsisë që mbulohen plotësisht me transmetimet digjitale.

Top Channel