Partia Demokratike mbledh sot Kryesinë dhe ish-Grupin Parlamentar. Kjo mbledhje vjen një ditë pas mbledhjes së Kolegjit të Kryetarëve.
Sipas njoftimit të PD për këtë mbledhje, situata politike në vend ka qenë në fokus të mbledhjes së kryetarit të PD me kryetaret e partisë në rrethe.
“Pas raportimeve për përmbushjen e detyrave për organizimin e partisë, që janë realizuar në periudhën korrik-shtator, Basha ka theksuar se tashmë partia duhet të fillojë menjëherë përgatitjet elektorale dhe për aksion politik”, thuhet në njoftimin e PD.
“Vendi është në një krizë të thellë shumëplanëshe dhe detyra e PD dhe e opozitës është të angazhohet seriozisht për të qenë pranë njerëzve dhe për t’i hapur rrugë prespektivës europiane të Shqipërisë. Opozita ka dhënë propozimet e veta për zgjidhjen e krizës në vend, që kalon përmes zgjedhjeve të njëkohshme parlamentare dhe lokale të parakohshme, me qeveri tranzitore që garanton standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, ka deklaruar në këtë mbledhje Lulzim Basha.
Një prej vendimeve të kësaj mbledhje ishte ngritja e shtabit qendror elektoral dhe politik, shtabe që do te shtrihen në mënyrë piramidale në të gjithë vendin.
Puna thotë PD, do të përqëndrohet në planin e ofrimit të zgjidhjes për qytetarët, denoncimeve për aferat korruptive dhe kriminale të Qeverisë, bashkimi i faktorëve dhe aktorëve me potencial njerëzor dhe elektoral pranë PD, si dhe hapja e partisë për njerëz me integritet profesional e moral.
Kryetari i PD, Lulzim Basha i ka paraqitur kryetarëve të Degëve një kalendar të qartë dhe konkret pune, me përgjegjësi dhe afate të qarta.
Për momentin PD protestat i kalon në plan të dytë.
“Ndërkohë për aksionin politik, që përfshin edhe protestat, është vendosur që format dhe afatet të përcaktohen në një moment të dytë për të shmangur shfokusimin nga çështjet kryesore që janë aktualisht në vëmendje: fazën finale të zgjidhjes së krizës politike dhe procesi i integrimit evropian”, thuhet në njoftimin e PD.
Top Channel