Mure me lagështirë, rrjet tërësisht i amortizuar elektrik, tualete të amortizuara ishte pamja që ofronte në Kombinat ish-kopshti 34. Përveç kushteve të këqija infrastrukturore, një tjetër problem për shumë prindër në Kombinat ishte edhe mbipopullimi nëpër grupe pasi godina ishte tepër e vogël për të përballuar numrin e lartë të kërkesave.
Por brenda gjashtë muajve kjo gjendje ka ndryshuar tërësisht. Falë ndihmës së donatorëve që iu përgjigjën thirrjes së Bashkisë së Tiranës “Adapto një Kopsht/Çerdhe”, përfundoi në kohë rekord godina e re “Kopësht & Çerdhe e integruar” 2 dhe 3 kate, në rrugën “Hamdi Cenoymeri”.
Kushtet e godinës së re që do mbajë tashmë emrin “Çamarrokët e Vegjël”, jo vetëm që janë optimale e bashkëkohore, por ofrojnë edhe siguri maksimale për të gjithë grupmoshat, brenda dhe në oborr ku janë instaluar module të ndryshme lojërash. Gjithashtu, janë instaluar edhe shkallë emergjence, duke plotësuar një tjetër standard.
Risia e këtij kopshti është jo vetëm ofrimi i shërbimit psikosocial, por edhe prania e mjekut që monitoron zhvillimin fizik të fëmijëve, e veçanërisht të atyre me nevoja të veçanta.
Top Channel