Partitë politike në Kosovë hapën zyrtarisht fushatën dhjetë ditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, ndonëse në të vërtete, sic kujton VOA, fushata në terren ka filluar që para shpalljes së këtyre zgjedhjeve muajin e kaluar.
Gjithsej 25 subjekte politike, nga të cilat 20 parti dhe katër koalicione do të konkurrojnë me rreth 1070 kandidatë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa janë të regjistruar mbi një milionë e 900 mijë votues, me të drejtë vote.
Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive.
Bashkimi Evropian tashmë ka filluar dhe ai vendosjen e një misioni prej rreh 100 vëzhguesve. Policia e Kosovës dhe mekanizmat tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve.
Katër subjekte politike ndërkaq nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe kësaj radhe si asnjëherë më parë serbët janë të ndarë.
Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë. Për herë të parë në këto zgjedhje, Nenad Rashiç që është kryesues i listës së koalicionit Liria, po kandidon për postin e kryeministrit të Kosovës.
Top Channel