Tirana mbetet solidare me këdo që është në vështirësi. Komuniteti i biznesit të ndërtimit iu përgjigj pozitivisht thirrjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të ndihmuar në rikonstruksionin dhe rindërtimin e shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i ditës së shtunë. Kryebashkiaku Veliaj, në takimin që zhvilloi me ta për masat për përballimin dhe normalizimin e situatës, i falenderoi për dëshirën për të mbështetur dhjetëra familje, që këto ditë janë përballur me dëmet e tërmetit, ndërsa theksoi se ky akt tregon edhe një herë se Tirana ka solidaritet.

“Do më bëhej zemra mal sikur në 31 dhjetor këta banorë t’i fusim në shtëpitë e reja. Janë punë të vogla, disa mund të marrin disa javë punime, por nëse i fusim në shtëpitë e tyre para Vitit të Ri do të ishte realisht një triumf i arsyes dhe i solidaritetit mbi histerinë dhe panikun. Për të treguar që po, kjo Shqipëri, siç e kemi vënë re këto vite, ka edhe padije, ka edhe agresion politik, ka edhe vrer e helm, ka edhe paragjykime, por nuk është vetëm sepse ka edhe mirësi, ka edhe kontribut, ka edhe solidaritet, ka edhe filantropi”, tha Veliaj.

Më tej, ai bëri të ditur se çdo sipërmarrës i fushës së ndërtimit, pas vlerësimit që do bëjnë specialistët mbi dëmin e shkaktuar, do të marrë një banesë të dëmtuar për të rikonstruktuar apo edhe rindërtuar nëse do të jetë e nevojshme. “Duam që secila kompani ndërtuese të marrë përsipër një shtëpi në një zonë rurale. Pse në një zonë rurale? Sepse në zonat rurale jemi pak më të zhdërvjellët për disa arsye: shtëpitë janë me kubaturë të vogël, pra bëhet fjalë për 100-120 metra ndërtim; së dyti, kanë hipotekën e tyre dhe falë dashamirësisë së kryeministrit, presim që të kalojmë një akt normativ, ndoshta një VKM, por me gjasë një akt normativ, që leja e ndërtimit të bëhet automatike, brenda ditës dhe pa asnjë taksë”, theksoi Veliaj.

Ai shtoi se ashtu si edhe me kopshtet dhe çerdhet, çdo kompani ndërtimi duke adoptuar një shtëpi i jep zgjidhje strehimit të një numri të madh të familjesh, që sot vuajnë pasojat e lëkundjeve të tërmetit më të madh që ka prekur vendin tonë në 30 vitet e fundit. “Ambicia ime është që, siç bëmë me kopshtet dhe çerdhet, kjo bëhet me brigada të vogla për të ndërtuar shtëpi fshati dhe besoj se na gjen 1 janari të nderuar. Pra, jo vetëm të nderuar si sipërmarrës që paguajnë taksat, por edhe se keni bërë një punë cilësore”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se pavarësisht dallimeve që ka pasur ky komunitet për taksën e ndërtimit, ai ka treguar gjithmonë se mbetet bashkëpunues dhe ndihmues sa herë që Tirana ka pasur nevojë. “Bashkë kemi pasur ditë të mira, kemi pasur edhe ditë me debate shumë të forta, kemi qenë bashkë edhe në gjyq për 10 fishimin e taksave të ndërtimit. Unë besoja atëherë, besoj edhe sot, që ishte një vendim i drejtë. E them këtë për të qenë transparent, pra kemi pasur edhe ditët tona të sherrit, siç kemi pasur edhe ditët tona të një bashkëpunimi të jashtëzakonshëm. Me sa duket paska qenë e shkruar që unë çdo mandat do e filloj me një sfidë. Mbaj mend kemi qenë këtu para 5 vitesh kur ju kërkova secilit prej jush të adoptonte një kopsht e një çerdhe. Do të thotë se ky qytet, siç prodhon shumë ekonomi, di të prodhojë edhe shumë bujari e solidaritet dhe për këtë ju jam jashtëzakonisht mirënjohës”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA