Qeveritë vijnë dhe shkojnë por marrëdhëniet e Kosovës me SHBA dhe BE nuk do të cënohen asnjëherë.

Kështu tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thaçi tha se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, Kosova duhet të formojë shpejt një qeveri të re, që do të përballet me sfidat që e presin vendin.

“Por fillimisht do të jenë prioritetet e brendshme e pastaj do të diskutohet edhe për mundësinë e tejkalimit të të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut, që të mos jetë pengesë as Kosova e as Serbia”, tha ai.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit të kaluar kur Kosova u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj qasjes së Serbisë ndaj shtetësisë së saj.

Sipas Thaçit, duhet një debat i brendshëm sa u përket tarifave në të cilën duhet të përfshihen edhe partitë politike, qeveria, parlamenti dhe shoqëria e Kosovës.Sidoqoftë, ai nënvizoi se vetëm një marrëveshje që çon në njohje të ndërsjellë ka kuptim për popullin e Kosovës.

“Natyrisht se në kuadër të dialogut dhe negociatave që do të zhvillohen do të ketë opinione të ndryshme të cilat unë mendoj se në fund do të rezultojnë më një marrëveshje përfundimtare historike me njohje reciproke”, shprehet Thaçi.

Thaçi tha se asnjëherë nuk ka qenë në tryezën e bisedimeve mundësia e ndryshimit të kufijve, ide kjo e hedhur verën e vitit të kaluar si mundësi për të arritur një marrëveshje ndërmjet palëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA