Moti i keq, policia njoftim të rëndësishëm për shoferët
23/09/2019 21:57
Për shkak të moshit të keq e me shira të rrëmbyeshëm në disa zona të Shqipërisë së mesme, kryesisht Tiranë, Durrës, Elbasan, Krujë, Lezhë, policia rrugore u bën thirrje shoferëve të mos ecin më shpejt se 50 km/orë nëse dukshmëria është më e vogël se 100 metra.
Për të shmangur aksidentet e mundshme, policia ka listuar gjithashtu masat që duhet të ndiqen nga të gjithë shoferët:
Në situatën e rënduar të motit në tunele, në hyrje dhe në brendësi të tyre:
Zvogëloni shpejtësinë;
Aktivizoni ajrin riqarkullues të kabinës së mjetit;
Nëse konstatohet rrezik ndaloni para hyrjes së tuneleve;
Mbani krahun e djathtë;
Respektoni shpejtësinë e lejuar të treguar nga sistemi i sinjalizimit;
Aktivizoni sinjalin bllokues në rast rreziku;
Bëni kujdes nga ndryshimi i kushteve atmosferike, mbi sipërfaqen e rrugës;
Bëni kujdes nga ndryshimi ndriçimit në hyrje dhe dalje të tunelit.
Në raste përfshirje aksidentesh duhet të mbani parasysh:
Mos lëvizni nga vendngjarja;
Telefononi menjëherë në numrin 112 dhe prisni mbërritjen e ndihmës së parë;
Jepni informacion për emrin dhe numrin tuaj të telefonit, vendin ku ka ndodhur ngjarja dhe nëse nevojitet ndërhyrja;
Aktivizoni sinjalin bllokues të rrezikut;
Sigurohuni që jeni të dukshëm nga të tjerët (vishni jelek fosforeshentë) dhe evitoni mundësinë e ndodhjes së ndonjë aksidenti tjetër ose rëndimin e pasojave;
Vendosni trekëndëshin e rrezikut në distancë të mjaftueshme;
Ndaloni në të djathtë të karrexhatës nëse është mundësia;
Përdorni mjetet e ndihmës së parë;
Largimi nga vendi i ngjarjes, rrezikon ndalimin dhe arrestimin e menjëhershëm, përveç pezullimit të lejes së drejtimit.