Gazetari Aleksandar Marku ka reaguar pas shtrembërimeve që i bënë disa portale intervistës së tij me sizmologun grek, Akis Tselentis, e transmetuar në Top Channel. Ashtu siç është transmetuar, sizmologu grek tha se nuk do të ketë tërmete më të mëdha dhe se ai i së shtunës ishte kryesori.
Por gazetari Marku thekson se kjo deklaratë, e zeza mbi të bardhë, është shtrembëruar nga disa sharlatanë, për të cilët kërkon ndjekje penale.
“Mësoj se një ‘website’ në Tiranë ka shkaktuar panik me një publik të tij që shkakton përveç të tjerash neveri, revoltë dhe pikëpyetje të mëdha për rolin e disa të ashtuquajturave media në Shqipëri. Mungesa e seriozitetit, përgjegjësisë dhe detyrës që ka një media për informim të saktë, në këtë rast është jo vetëm e dënueshme moralisht. Sizmologu grek, Akis Tselentis më tha saktësisht dhe kjo dëgjohet edhe në intervistën që publikoi Top Channel, se nuk do të ketë tërmete më të mëdha, ai që ra dje ishte kryesori. Ndërsa tashmë do të ketë lëkundje të lehta.
Nuk e kuptoj se si mund të shtrembërohet e zeza mbi të bardhe nga disa sharlatanë që duhet të dënohen penalisht me këtë që bënë, pasi luajnë me jetët e njerëzve. Gjithashtu, ju bëj thirrje edhe qytetarëve shqiptarë të informohen vetëm nga mediat që në vite kanë treguar besueshmërinë e tyre dhe përgjegjësinë morale të lajmit që transmetojnë. Dhe Top Channel është një prej tyre”, shprehet gazetari Aleksandër Marku.
Intervista me sizmologun grek, e transmetuar gjatë paradites të së dielës, u keqpërdor nga disa portale në mbrëmje për të justifikuar panikun që krijuan në Tiranë dhe Durrës për një tërmet të fuqishëm rreth orës 23:30.
Top Channel