Partia Socialiste nuk ka preferuar të bëjë një koment të gjatë për vendimin e dhënë nga gjykata për Saimir Tahirin. Elisa Spiropali, zëdhënësja e kryesisë së PS-së dhe drejtuesja politike e qarkut Tiranë thotë se e gjitha kjo s’është një çështje për PS-në.
“Është çështje e drejtësisë jo e Partisë Socialiste, as e qeverisë dhe as e partive të tjera politike në tërësi, të cilat kanë kohë që kanë braktisur detyrën per t’u marrë me çështje që nuk u takojnë asfare”, tha ajo.
Kreu i demokratëve Lulzim Basha thotë se gjykata dha një vendim të turpshëm për të mos bërë drejtësi për krahun e djathtë të Edi Ramës.
“Vendimi konfirmon se Edi Rama bëri gjithçka për ta mbrojtur Saimir Tahirin, sepse Saimir Tahiri e mban peng Ramën me dosjet e korrupsionit dhe të lidhjeve të tij me krimin”, tha Basha.
Faktori ndërkombëtar gjithnjë ka theksuar nevojën e ndëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë. Për vendimin e ish ministrit Saimir Tahiri pritet që ata të kenë një qëndrim të unifikuar. Një zëdhënës i ambasadës gjermane i tha Top Channel se ishin në dijeni të vendimit por nuk mund të komentojnë për momentin. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kreu delegacionit të BE në Tiranë Luigi Soreca.
“Si ish-prokuror, nuk mund të komentoj pa lexuar dosjen. Më lejoni të lexoj një herë vendimin dhe pastaj do flas”, u shpreh Soreca.
Analistët e çështjeve politike hezitojnë të komentojnë vendim për zotin Tahiri për aq kohë sa ata nuk kanë parë argumentimin deri në çfarë shkalle ai ka kryer shpërdorimin e detyrës. Megjithatë analisti Roland Lami thotë se ky vendim i ka kënaqur të gjitha palët.
Top Channel