Dita-ditës vendi më i varfër në rajon po mbushet me ar. Vetëm gjatë këtij viti në vend kanë hyrë mbi 360 kilogramë metale të çmuara, vlera e të cilave sillet rreth 1.5 milion euro. Sipas statistikave të Doganës së Kosovës në pesë vitet e fundit janë importuar metale të çmuara në vlerë prej më shumë se 7 milionë euro, derisa vendet ku blehet më shumë ar dhe metale tjera janë Turqia dhe Italia.
Përderisa një pjesë e madhe e qytetarëve në vend e kalojnë gjithë ditën me vetëm 1 euro e 70 centë, të tjerë po i shpenzojnë paratë e tyre në luks. Një pjesë të mirë të hyrave vjetore, kosovarët i shpenzojnë çdo vit duke blerë ar.
Madje, nëse shikohen statistikat e Doganës së Kosovës del se për çdo vit ata shpenzojnë mbi 1 milionë euro në metale të çmuara.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci i ka thënë Gazetës Express se vetëm gjatë këtyre shtatë muajve në vend ka hyrë ari në vlerë mbi 1.5 milion euro.
“Gjatë këtij (deri në fund te muajit gusht) kemi rreth 360 kg metale te çmuara ne import. Derisa vlera e produkteve kryesisht është Turqia dhe Italia por edhe vendet tjera”, ka thënë Stavileci.
Miliona në ari, kosovarët po del të kenë shpenzuar edhe gjatë viteve të kaluara.
Sipas statistikave të Doganës, vetëm gjatë pesë viteve të fundit ata kanë shpenzuar hiç më pak se 7 milionë e 340 mijë e 467 euro në ari. Me gjithë këto para janë blerë mbi 2 mijë e 600 kilogramë metale të çmuara.
Ndërkohë, vendet prej të cilave janë importuar janë kryesisht Turqia dhe Italia, por jo vetëm.
Kosovarët blejnë ari edhe nga Austria, Zvicra, Kina, Gjermania, Spanja, Polonia, Republika Qeke e Tajlanda. Ndërkohë, një sasi e arit viteve të fundit është blerë edhe nga Tajvani, Kamboxhia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Top Channel