Analisti Artur Zheji ishte i ftuar sot në “Top Talk” në Top Channel për të folur për situatën politike dhe mundësinë për të dalë nga kriza. Që në hyrje të emisionit, Zheji theksoi se kriza aktuale “nuk është një konflikt grupesh, por është një konflikt personash.”
“Kemi të bëjmë me eleminimin e kundërshtarit. Në harkun e pak kohe, në dy vite e gjysmë nga zgjedhja e Metës president, ne kemi nga bashkimi i votave PS-LSI te një sulm i personalizuar ndaj Ilir Metës dhe prap një binar i dytë që buron nga Rama, i cili ka dhënë porosi për llastim, joshje ndaj Lulzm Bashës dhe të tjerëve”, tha Zheji.
Zheji është i mendimit se konflikti i vërtetë është midis Edi Ramës dhe Ilir Metës, e jo me Lulzim Bashën, i cili gjithsesi do të dalë i fituar nga kjo situatë.
“Gjëja më e re që do të jetë finalizimi i një konflikti radikal midis Ramës dhe Metës, ose mbajtja e këtij konflikti pezull derisa të ketë një negociatatë të vërtetë midis Ramës dhe Metës dhe jo midis Ramës dhe Bashës. Konflikti i vërtetë që do të shpërthejë nga ora në orë do të jetë Rama-Meta dhe jo Rama-Basha se nuk ka konflikt, por nuk kanë as dialog”, deklaroi Zheji.
Sa i përket qëndrimit më të ri nga partitë opozitare për t’u ulur në dialog me Ramën si kryetar i Partisë Socialiste, Zheji tha: “Është një zbythje e detyruar nga rrethanat, nga mbi forca e Ramës, nga qëndrueshmëria e Ramës. Jemi akoma në nivelet e një alibie.”
Top Channel