Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë pritet ta trajtojnë kërkesën e banorëve të zonave kufitare që t’u krijohen lehtësira për qarkullimin e mallrave në të dy anët e shteteve.

Pas raportimit nga Top Channel, Ministria e Financave në Kosovë ka thënë se fillimisht këto shqetësime do të trajtohen në kuadër të grupeve punuese teknike, e më pas do të bëhen pjesë e agjendës së takimeve ndërmjet dy qeverive.

“Ministria e Financave e Republikës së Kosovës në vazhdimësi është e përkushtuar që në bashkëpunim edhe me institucionet tjera të Qeverisë së Kosovës dhe institucionet e Qeverisë së Shqipërisë, të shqyrtojmë mundësitë për krijimin dhe lehtësimin e kushteve për qarkullimin e mallrave të personave dhe shërbimeve të qytetarëve të zonave ndërkufitare në të dy anët e shteteve tona. Andaj, kërkesa të tilla do të trajtohen me shumë kujdes në kuadër të grupeve punuese teknike, që me pas të barten për vendim marrje si pjesë e agjendës së takimeve ndërmjet dy qeverive tona në të ardhmen”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Financave të Kosovës.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi thotë të ketë gatishmëri edhe nga qeveria në Tiranë, pasi kjo do të ndikojë në rritjen e mirëqenies sociale.

Sipas ambasadorit, qeveritë mund të heqin taksën doganore për materialet ndërtimore, si dhe rritjen e kufizimit nga 300 euro në një shumë më të madhe për futjen e mallit ushqimor pa taksë.

Shkak i taksave doganore, banorët e Bashkisë së Kukësit, Hasit e Tropojës megjithëse e kanë shumë afër Prizrenin e Gjakovën, detyrohen të bëjnë qindra kilometra deri tek qendrat e zhvilluara të Shqipërisë.

Alberta Hashani

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA