Nenad Rashiq nga koalicioni “Sloboda” (Liria) ka thënë se serbët e Kosovës janë kundër ndryshimit të kufirit me Serbinë. Ai ka thënë se ndryshimi eventual i kufijve do të ishte fatal për serbët e Kosovës, si në pjesën jugore të vendit, ashtu edhe në pjesën veriore.
“Sa i përket korrigjimit të mundshëm të kufijve, ne jemi në mënyrë gjenerative kundër ndryshimit të kufijve. Çdo ndryshim i kufijve për serbët e jugut do të krijohet shpërngulje masive”, ka thënë Rashiq, në televizionin Klan Kosova.
“Edhe serbët e veriut nuk do të kenë fat më të mirë, sepse ata do të jenë në ndonjë cep që do t’i harrojë edhe Zoti dhe jo vetëm njeriu. Kjo është sikur Kurshumlia, që është një rajon pasiv i Serbisë dhe nuk do të ketë asnjë zhvillim ekonomik”, ka theksuar ai.
“Pra, për të gjitha këto ne jemi kategorikë kundër çdo ndryshimi të kufijve. Jemi të prerë kundër kësaj dhe secili qytetar normal, sidomos ata të jugut, janë absolutisht kundër ndryshimit të kufirit, sepse do të jetë fatale për ne”, ka shtuar ai.
Rashiq ka thënë se ndryshimi i kufirit midis Kosovës e Serbisë do të shkaktonte probleme të tjera në rajon.
“Po të ishte lehtë të merremi vesh në Ballkan nuk do ta kishim këtë histori që kemi. Çfarëdo çrregullimi i kufijve do të shprehej edhe në Bosnjë, në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut, prandaj mendoj se kjo ide është dhe duhet të ishte temë e përfunduar”, ka thënë ai.
Rashiq, i cili është njëri ndër përfaqësuesit kryesorë të politikës së moderuar të serbëve në Kosovë, e ka akuzuar Beogradin zyrtar për fushatën propagandistike kundër koalicionit “Sloboda”, i cili në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë do ta rivalizojë Listën Serbe, e cila është themeluar dhe kontrollohet nga Beogradi.
“Do t’ua them një shembull se si jemi trajtuar nga Beogradi. Me krijimin e koalicionit tonë, Marko Gjuriq ka dalë me kumtesë dhe na ka quajtur neve parazitë dhe na ka akuzuar se ne jemi serbë privatë që jetojmë nga Kosova. Merreni me mend kush e thotë këtë. Ai që i ka nëntë deputetë në parlament (të Kosovës) që për dy vjet kanë punuar gjithsej vetëm 10 orë, ministra që s’kanë dalë asnjëherë jashtë ministrive dhe s’e kanë realizuar. Kjo do të thotë: “thuani atyre se nuk jetojmë nga institucionet e Kosovës, por nga puna jonë. Quani ata parazitë. Ju akuzoni për atë që pikërisht e bëni”, është shprehur Rashiq.
Nenad Rashiq ka qenë i vetmi deputet serb në Kuvendin e Kosovës që nuk ka qenë pjesë e Listës Serbe.
Top Channel