Brukseli miraton korporatën/ Ndryshimi i projektligjit të qeverisë: Në linjë me kuadrin ligjor të BE

15/09/2019 15:05

Komisioni Europian ka dhënë OK për projektligjin e rishikuar të korporatës së investimeve duke e cilësuar si plotësisht në linjë me kuadrin ligjor të Bashkimit Europian.

Përmes një shkrese zyrtare dërguar ministrisë së jashtme, shefja e njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e zgjerimit, Michela Matuella deklaron se drafti i ri reflekton plotësisht komentet dhe adreson shqetësimet që komisioni kishte shprehur për projektligjin fillestar.

“Dëshiroj të konfirmoj se drafti i rishikuar për Korporatën e Investimeve që ju na keni dërguar në datën 18 korrik, merr parasysh në mënyrë të plotë komentet tona. Do të doja t’ju falëndëroja për bashkëpunimin shumë të mirë”.

Projektligji fillestar I qeverisë për korporatën shtetërore të investimeve ngjalli shqetësime tek partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Pika më kontroverse e këtij drafti ishte e drejta e korporatës për të prokuruar investime si një kompani private, pra jashtë ligjit të prokurimeve publike dhe në kundërshtim me direktivat e bashkimit europian.

Pas këtyre vërejtjeve nga partnerët ndërkombëtar, komisioni parlamentar i ekonomisë përmes një marrëveshje mes deputetëve të maxhorancës dhe atyre të opozitës vendosi ta tërheq draftin nga votimi në minutat e fundit.

Që nga ajo kohë Ministria e Financave dhe komisioni i ekonomisë kanë zhvilluar konsultime intensive me ekspertët e bashkimit europian për të adresuar shqetësimet e brukselit dhe drafti I rishikuar pritet të votohet këtë të hënë, sipas variantit të dakortësuar me Komisionin Europian.

Klodian Tomorri

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA